Java në të cilën sapo kemi hyrë sot do të karakterizohet me mot shumë të nxehtë dhe me zagushi. Temperaturat do të kulmojnë këtë javë e cila shënon edhe fillimit e muajit më të nxehtë të vitit, korrikut. Afrika Veriore -edhe pse me vonesë- sivjet më në fund do t’i “drejtojë antenat” nga rajoni ynë me një fuqi solide. Megjithatë vala e pare e fuqishme tropikale nuk pritet të zgjasë shumë sepse me afrimin e fundjavës nga Atlantiku afrohen edhe masat ajrore të freskëta dhe po ashtu edhe masat e lagështa ciklonike.

Fillimi i javës do të karakterizohet me mot me diell dhe mjaft i nxehtë. Të martën disa rajone në Kosovë mund të freskohen por vetëm pak për shkak të një fronti të dobët të ftohtë ajror i cili nuk do të hetohet në shumë pjesë të vendit.

Nga e mërkura pritet rifuqizim i masave të nxehta ajrore me origjinë nga Afrika Veriore. I nxehti pritet të jetë përvëlues. Rrallë në ndonjë rajon (kryesisht kodrinoro-malor) mund të ketë ndonjë rrebesh të izoluar shiu me vetëtima dhe bubullimë.

Megjithatë, sipas Meteo Ballkan, nga dita e premte ose e shtunë pritet që në pjesët kontinentale të rajonit (Kosovë dhe disa vise të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut) të fillojnë të depërtojnë masa pak më të freskëta dhe jostabile ajrore me origjinë nga Atlantiku. Këto masa jostabile ajrore pritet të shkaktojnë destabilizim të motit veçanërisht në fundjavë kur priten rrebeshe lokalisht të fuqishme shiu me vetëtima, bubullimë dhe mundësi për breshër.