Diplomat

Moszbatimi i marrëveshjeve Kosovë – Serbi për diplomat, dëmi që po bartin mbi supe qytetarët

Fismir Jahiu, qytetarë i Komunës së Bujanocit, i diplomuar në Universitetin e Prishtinës në vitin 2010, nuk ka pasur mundësi punësimi askund ku është kërkuar diploma. Fismiri fillimisht u punësua në një organizatë joqeveritare, ka shërbyer si aktivist politik, dhe tani punon në një kompani private në Preshevë.

Por për Jahiun, punësimi në Serbi nuk ishte i vetmi problem, pasi që ai nuk mundi të punësohej as në Kosovë për arsye të leje qëndrimit, ku shprehet se tani më njohja e diplomave për të nuk ka kurrëfar rëndësie, por për të rinjët dhe të reja.

Ky i fundit tha se zbrazja e Luginës është tragjedi kombëtare, është territor që nuk duhet humbur, andaj duhet të jetë prioritet i qeverive amë kurdoher që krijohen mundësitë të lehtësohet jeta luginasëve.

“Nëse një ditë del lajmi se Serbia e ka njohur Kosovën as at ditë nuk do të besoja se do njihen diplomat e studentëve të diplomuar në Republikën e Kosovës, të rinjtë nga Lugina ka kohë që janë më të diskriminuarit në rajon e në veçanti ata që kanë diplomuar në Republikën e Kosovës, të neglizhuar nga shteti, pushtete lokale e nga qeveritë e shteteve amë. Shtrirja e sovranitetit në Mitrovicën e Veriut, targat e ndalesa dinarit janë disa nga sukseset e qeverisë aktuale të Republikës Kosovës, a do duhej që të tregohej këmbëngulëse qeveria për njohjen e diplomave sikurse për këto çështje, pa diskutim se po!”, tha Jahiu.

Të njëjtin problem ka pasur edhe Kushtrim Asllani, gjithashtu i diplomuar në Kosovë, dega e aktrimit, ku sipas tij njohja e diplomave është e drejtë ekzistenciale e njeriut.

“Ngarkesa bie mbi qytetarët e pakicës Shqipëtare në Lugine te Preshevës ku tash e sa vite luftojmë për të drejtën tone te shkollimit në gjuhën Shqipe e më e pakta do ishte të na njihen diplomat që kjo të mos jetë barrë për egzistencën e pakicës Shqipëtare në Luginë”, shkruan Asllani.

Ky i fundit, një pjesë të fajit për njohjen e diplomave tha se i takon edhe faktorit politik në Luginë, ku sipas tij, nuk kanë punuar mjaftueshëm për zgjidhjen e këtij problemi.

“Kjo edhe i shkon në favor për të mbushur egot politike duke e rritur nivelin e nepotizmit në mënyrë të frikshme, krejt kjo po ndikon që të rinjët tanë të migrojnë në perëndim që të kenë një jetë më të sigurt”, tha ai.

Asllani shtoi duke thënë se procesin do ta bënte më të lehtë mundësia e dy shtetësisë e cila do të ishte një pike shprese për të rinjët dhe të rejat në Luginë të Preshevës.

Mosnjohja e diplomave si problem i Komunës së Bujanocit
Shefi i kabinetit të Kryetarit të Komunës së Bujanocit, Salih Salihi, për Nacionalen ka thënë se problemi i njohjes se diplomave tash e 16 vite renditet si problemi qe me se shumti ka marrë premtime se do të zgjidhet.

“Kujtoj që për njohjen e diplomave janë nënshkruar deri më tani katër marrëveshje, duke filluar nga Brukseli, pastaj marrëveshja e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhe në Washington, për të vazhduar me atë të procesit të Berlinit, e deri të fundit, ajo e Ohrit”, ka shkruar Salihi,

Sipas Salihit, zvarritja e njohjes së diplomave ka rezultuar me ikje të madhe të rinjëve shqiptarë në shtetet perëndimore, e që mendojmë se ndoshta objektivi kryesor i politikës serbe është pikërisht zbrazja e Luginës dhe dëshpërimi I të rinjëve për të gjetur një vend pune në vendlindjen e tyre.

“Në lidhje me zbatimin e marrëveshjes bazike në Procesin e Berlinit, edhe Kosova edhe Serbia kanë ratifikuar marrëveshjet në kuvendet përkatëse. Me këtë rast, kemi mësuar se Kosova ka filluar se zbatuari këtë marrëveshje duke vërtetuar diplomat e universitetit paralel të Mitrovicës së Veriut, derisa Serbia përkundër premtimeve ende nuk ka filluar një gjë të tillë”, ka thënë ai.

Marrëveshja që nuk u zbatua asnjëherë
Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë për njohjen e diplomave është nënshkruar në Bruksel më 2 korrik të vitit 2011, e cila në fuqi – formalisht – kishte hyrë me 1 janar 2012.

Në marrëveshje u parashihte që në “përputhje me praktikat më të mira evropiane, studentët duhet të kenë qasje në programet arsimore dhe mundësi punësimi në tërë rajonin”. Për ta lehtësuar njohjen, BE ka financuar dhe mbështetur financiarisht, duke u kontraktuar me organizatën joqeveritare holandeze, SPARK.

Procesi i verifikimit të diplomave bazuar në marrëveshjen e vitit 2011, filloi më 15 shkurt 2012 dhe vazhdoi deri më 14 qershor 2014. Prej atëherë për këtë proces nuk është bërë asgjë.

Për këtë pati folur edhe deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, gjatë vitit 2014, ku përmes vërtetimit që u bëhej diplomave të universiteteve të Kosovës nga SPARK, Serbia kishte pranuar që të verifikonte diplomat, për të hapur mundësi punësimi.

Sipas Kamberit, mosnjohja e diplomave ka bërë që një numër i madh i të rinjëve të migrojnë:

“Pikërisht ky është ndër problemet më të rënda, sepse edhe ata që kanë pritur nga shtatë deri 10 vjet dhe nuk u janë nostrifikuar diplomat, i kanë humbur shpresat që të jetojnë më këtu. Janë larguar dhe jo vetëm që janë larguar vetë, por edhe me familje. Është një proces shumë i rrezikshëm që po kërcënon sidomos Bujanocin”, ka thënë Kamberi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në vitin 2021 pati takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelars gjermane, Angela Merkel, ku sipas Kurtit është biseduar për lëvizjen e lirë dhe njohjen e diplomave.

“Në një takim me kancelaren Merkel, Presidentin Emmanuel Macron dhe presidentin e Serbisë, ne folëm për Procesin e Berlinit; lëvizja e lirë dhe njohja e diplomave. Ne mbështesim marrëveshjet në të cilat të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor trajtohen si të barabarta dhe qytetarët janë përfituesit përfundimtarë”, patë shkruar Kurti.

Ndryshe, Kosova dhe Serbia prej fillimit të negociatave kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, me qëllim lehtësimin e jetës së qytetarëve në të dyja vendet, por që nuk po gjejnë zbatim, çka është edhe ndër preukupimet kryesore të lehtësuesit të këtij procesi, pra Bashkimit Evropian.