Mosreagimi nga Kurti, gruaja e Haradinajt: Nasimi ka thënë “Qeveria të mendojë veç për Kosovën, jo për mua”

Gjykata Speciale në Hagë javën e kaluar ka dënuar me nga 4 vite e gjysmë burgim dhe 100 euro gjobë ish-kryetarin dhe nënkryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn.

Dënimi ndaj Gucatit dhe Haradinajt ka nxitur reagime të shumta edhe në Kosovë, ku nga opozita kanë kritikuar edhe Qeverinë e Kosovës të cilët kanë “heshtur” rreth dënimit të dy ish-krerëve të OVL-UÇK.

Për mos-reagimin e Qeverisë, ka folur për herë të parë edhe bashkëshortja e Nasim Haradinajt, Gjejlone Haradinaj.

Në një prononcim për lajmi.net, ajo ka deklaruar se që nga dita e vendimit të Speciales ndaj Haradinajt e Gucatit nuk ka pasur mundësi të përcjellë mediat, andaj ka thënë se nuk është në dijeni nëse ka pasur ndonjë reagim nga qeveritarët.

“Që në ditën e parë, Nasimi kur kemi biseduar më ka thënë se ‘mua nuk më intereson çështja private dhe për mua Qeveria nuk ka nevojë me mendu, por të mendojë për çështjen madhore, do të thotë Kosovën’. E gjithë familja e Nasimit jemi të një mendimi, pra të punohet për Kosovën”, ka deklaruar Gjejlone Haradinaj.

Ajo ka thënë se kërkesa e Nasimit “ka qenë gjithmonë që të rregullohet Kosova për popullin, për të cilin Nasimi ka dashtë me dhënë jetën”.

Kujtojmë se për mos reagimin e Qeverisë për dënimin ndaj Gucatit e Haradinajt, kishte reaguar ditë me parë edhe djali i Hysni Gucatit, Musli Gucati, i cili përmes një postimi në Facebook kishte thënë se mos-reagimi nga Qeveria ka lënë të nënkuptohet se “i janë gëzuar dënimit të krerëve të OVL-së së UÇK-së”.