Mosnjohja e diplomave të Kosovës në Serbi për shqiptarët nga Lugina e Preshevës është shqetësim i madh

Të rinjtë nga Lugina e Preshevës vazhdojnë të kenë vështirësi për t’u çasur e punësuar në institucionet shtetërore, kjo për shkak të mos njohjes së diplomave të Kosovës, nga autoritetet Serbe.

Presheva, Bujanoci e Medvegja janë tri komuna me shqiptarë që gjenden në territorin e Serbisë, që ndryshe njihen edhe si Lugina e Preshevës.

Për dallim nga Presheva e Bujanoci ku shqiptarët janë shumicë, në komunën e Medvegjës kanë mbetur pak shqiptarë të cilët kanë probleme të mëdha sidomos me fshirjen e tyre nga listat e regjistrimit si banorë të saj.

Diskriminimin e vazhdueshëm  që  ua bëjnë institucionet serbe këtyre tri komunave  po u pamundëson të rinjve që të mos punësohen edhe në institucione shtetërore, për shkak të mos njohjes së  diplomave të  Kosovës në Serbi.

Ndonëse marrëveshjet e nënshkruara për njohjen e diplomave reciproke në Bruksel nuk po respektohen dhe për këtë më së shumti po pësojnë të rinjtë nga Lugina.

Artan Ibishi  nga Presheva ka përfunduar studimet në fakultetin e Arteve në degën e Aktrimit pranë Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, i cili  tash e pesë vite e ka dorëzuar diplomën për nostrifikim  në Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë në Beograd në vitin 2016 kur është nënshkruar marrëveshja e dytë në Bruksel dhe ende nuk ka marrë përgjigje, ndërsa   në Shtëpinë e Kulturës për Teatër është punësuar  me diplomë të shkollës së mesme.

‘’Me hapjen e Teatrit në vitin 2017,unë aplikova për punë, mirëpo  problemi ishte se kisha diplomë nga Universiteti i Prishtinës. Në vitin 2016 kam dorëzuar në Beograd diplomën për nostrifikim dhe tash e 5 vite ende nuk kam marrë përgjigje, ndërsa në Shtëpinë e Kulturës u pranova  me diplomë të shkollës së mesme në profesionin që kam përfunduar studimet’’ tha ai .

Deri në vitin 2008 janë njohur vetëm diplomat nga Misioni i Kombeve të Bashkuara të Kosovës (UNMIK),që  një pjesë e  të rinjve janë pranuar nëpër institucione në atë periudhë.

Një organizatë me shkurtesë SPARK e cila kishte hapur zyrat në dy degë në Kosovë dhe Serbi u mundësonte vetëm aplikim  për nostrifikimin e diplomave, mirëpo  ishte mbyllur brenda një kohe të shkurtër.

Ragmi Mustafi nga Këshilli Kombëtar Shqiptar në Bujanoc thotë se mosnjohja e diplomave të Kosovës në Serbi për shqiptarët  nga Lugina e Preshevës  është shqetësim i madh.