Moskës nuk i pëlqen raporti i PE-së për sanksionimin e mediave propaganduese ruse në Serbi dhe Kosovë

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Marija Zaharova, tha sot se deklaratat e raportuesit të PE-së për Serbinë, Vladimir Bilçik për sanksionimin e RT Balkan dhe Sputnik janë absurde.

“Situata rreth ndërprerjes së mediave ruse është mjaft absurde, të gjitha këto deklarata flasin vetë. Nuk fshehin më asgjë, e flasin hapur. Më herët, ne vërtet u përpoqëm të tërheqim vëmendjen ndaj standardeve të dyfishta dhe hipokrizisë”, tha Zaharova për RT Balkan.

Komisioni për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian miratoi dje raportin e Bilçikut dhe amendamentet kompromisi të raportit për Serbinë, në të cilin kërkohet të respektojë vendimin e Këshillit për pezullimin e aktiviteteve të transmetimit të RT Balkan dhe Sputnik.

E pyetur për komente për zgjedhjet në komunat e veriut të Kosovës, Zaharova është përgjigjur se Prishtina vazhdon ta rëndojë situatën dhe e çon dialogun me Beogradin në qorrsokak.

“Zgjedhjet komunale theksuan më tej dëmshmërinë e politikës perëndimore në rajon. Arbitrariteti, diskriminimi dhe spastrimi etnik nuk mund të çojnë në paqe dhe harmoni. Marrëdhënia mes SHBA-së dhe BE-së, në pamundësi për të kapërcyer sjelljen e ngurtësuar serbofobike, po e shtyn të ashtuquajturën Kosovë më thellë në krizë”, tha Zaharova. Ajo shtoi se zgjedhjet e 23 prillit ishin “një tjetër dëshmi e neglizhencës së të drejtave të popullatës serbe” dhe se, pavarësisht bojkotit të shumicës serbe, “ato u mbajtën nën presionin e Perëndimit”.