Mosha mesatare e të vdekurve nga COVID19 gjatë kësaj jave në Kosovë

Situata epidemiologjike në vend është rënduar gjatë ditëve të fundit. Vetëm gjatë kësaj jave, janë regjistruar 65 vdekje nga kjo sëmundje. Personi më i ri në moshë që ka vdekur në shtatë ditët e fundit është i moshës 46-vjeçare. Por, sa është mosha mestare e viktimave nga koronavirusi gjatë këtyre ditëve?

Tetë persona nga katër komuna të vendit e kanë humbur betejën me COVID-19 gjatë 24 orëve të fundit. Këto raste të vdekjes janë regjistruar në Prizren, Gjilan, Prishtinë dhe Suharekë. Personi më i ri që ka vdekur është i moshës 60-vjeçare, derisa më i vjetri i moshës 89-vjeçare.

Me këto raste, numri i vdekjeve vetëm gjatë kësaj jave ka arritur në 65, derisa që nga fillimi i pandemisë janë regjistruar 784 raste të vdekjes.

Duke analizuar raportet e javës së fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, ku tregohet edhe mosha e viktimave. Bazuar në këto raporte, mosha mesatare e viktimave nga kjo sëmundje gjatë këtyre shtatë ditëve është 69.8.

Personi më i ri që ka vdekur gjatë këtyre ditëve nga koronavirusi është i moshës 46-vjeçare.

Ndryshe, gjatë dy javëve të fundit është rritur numri i rasteve pozitive me COVID-19. Pas rritjes së numrit të të prekurve, Qeveria është detyruar që t’i shtrëngojë masat.

Për të parandaluar përhapjen e kësaj sëmundjeje, janë vendosur kufizime të reja nëpër komunat e vendit, varësisht prej numrit të të infektuarve.

Të gjitha komunat kategorizohen në tri grupe sipas shkallës së rrezikut nga përhapja e infeksionit: komunat me rrezik të ulët (deri në 75 persona të infektuar për 100.000 banorë brenda një javë), komunat me rrezik të mesëm (nga 76-150 persona të infektuar për 100.000 banorë) dhe ato me rrezik të lartë (mbi 150 persona të infektuar për 100.000 banorë).

Me masat e reja, kufizohet lëvizja, bizneset mund të punojnë në orare të caktuara, transporti publik mund të funksionojë duke shfrytëzuar vetëm deri në 50% të kapaciteteve e taksitë mund të punojnë vetëm me një pasagjer.

Kufizime në orarin e punës do të ketë edhe për qendrat tregtare, veprimtaritë e hotelerisë dhe gastronomisë, aktivitetet kulturore, aktivitetet sportive, derisa institucionet private dhe publike duhet të punojnë vetëm me staf esencial. 

Këto masa do të hyjnë në fuqi nesër në orën 18:00, derisa ata që nuk i respektojnë do të gjobiten sipas Ligjit Nr. 07/l-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës.

Për mbikëqyrjen e zbatimit të këtyre masave obligohen Policia e Kosovës dhe inspektoratet.