Mos konsumimi i pemëve dhe perimeve është shkaktari i miliona vdekjeve nga sëmundjet e zemrës

Zbulimet preliminare nga një studim i ri kanë zbuluar se konsumimi i pamjaftueshëm i pemëve dhe perimeve mund të jetë përgjegjës për miliona vdekje nga sëmundjet e zemrës dhe sulmet në tru.

Studimi ka vlerësuar se 1 në 7 vdekje kardiovaskulare mund t’i atribuohen mos konsumimit të mjaftueshëm të pemëve dhe 1 në 12 vdekje kardiovaskulare mund t’i atribuohen mos konsumimit të mjaftueshëm të perimeve.

Konsumimi i ulët i pemëve ka rezultuar në pothuajse 2 milionë vdekje nga sëmundjet e zemrës vetëm në vitin 2010, ndërkaq konsumimi i ulët i perimeve ka qenë shkaktar i 1 milion vdekjeve, sipas hulumtimeve.

“Pemët dhe perimet janë komponent i rëndësishëm i dietës që mund të kenë efekt parandalues te vdekjet anë e mbanë botës. Zbulimet tona tregojnë për një nevojë që të rritet konsumimi i tyre përgjatë vendeve të ndryshme të botës”, ka rrëfyer autorja e këtij studimi, Victoria Miller.

Këto hulumtime, Miller do t’i prezantojë në “Nutrition 2019”, i cili është takim vjetor i Shoqatës Amerikane për Nutricion dhe mbahet në Baltimore.

Pemët dhe perimet janë burim i mahnitshëm i fibrave, kaliumit, magnezit, antikosidantëve, etj., të cilët e ulin shtypjen e gjakut dhe kolesterolin.

Pemët dhe perimet e freskëta gjithashtu e përmirësojnë shëndetin dhe diversitetin e baktereve të mira në sistemin e tretjes.

Ata që hanë më shumë pemë dhe perime janë gjithashtu më pak të prirë të jenë mbipeshë – gjë e cila ndikon në rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare.

Bazuar në udhëzimet e ekspertëve dhe studimet e ndryshme, hulumtuesit thonë se njerëzit duhet t’i konsumojnë 300 gramë pemë në ditë – sasi ekuivalente me dy mollë të vogla!

Në anën tjetër, konsumimi ideal i perimeve është 400 gramë në ditë – rreth 3 gota me karota.