Mos e harro Reçakun | Zyra e Kurtit heq nga agjenda fjalimin e kryetarit të Reçakut, i përmendte edhe ish-krerët e UÇK-së në Hagë

Kërkesa që folës në përkujtimin e Masakrës së Reçakut të jetë kryetari i fshatit të Reçakut, Adem Ramadani, deri më tani është shpërfillur nga Zyra e Kryeministrit. Moslejimi po ndërlidhet me përmbajtjen e fjalimit të tij, të cilin Këshilli Organizativ ia kishin kërkuar më herët, pasi që aty Ramadani i përmend edhe emrat e ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë.

Demokracia.com ka kontaktuar me Kryetarin e Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së në Shtime, Muhamet Bilalli, i cili, ndër të tjera, ka bërë të ditur se fjalimi i kryetarit të fshatit të Reçakut i ishte dërguar Zyrës së Kryeministrit. Në atë fjalim, sipas Bilallit, janë të përmendur edhe ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, duke potencuar se askush nuk po gjykohet për Masakrën e Reçakut. Megjithatë, i njëjti ka bërë të ditur se nuk kanë marrë asnjë arsye nga Zyra e Kurtit për moslejimin e fjalës për kryetarin e fshatit.

“Në bisedim e sipër, na kemi kërku sqarim pse është largu, se na si Këshill Organizativ dhe si fshat e kemi dërguar këtë person [kryetarin e fshatit Reçak]. Ia ka lypë fjalimin Zyra e Kryeministrit, ky ia ka dërgu. Fjalimi u kanë i mirë, nuk ka pasur diçka. Nëse fjalimi ka diçka jashtë normales, le ta përmirësojmë atë dhe del në rregull. Në qoftë se ka nevojë, me heq diçka, me shtu diçka… Fjalimi ka qenë përshëndetje për krerët e shtetit, gjatë fjalimit për masakrën. Fjalimi ka përmbajt theks se asnjë nuk është i akuzuar e i dënuar për Masakrën e Reçakut, asnjë serb. Ndërsa, krerët e UÇK-së po mbahen peng në Hagë”, deklaroi ndër të tjera Bilalli për Demokracia.com.

Po ashtu, i kontaktuar nga Demokracia.com edhe sekretari i OVL-UÇK-së në Shtime, Ramiz Smajli, edhe ai ka konfirmuar se Këshilli Organizativ pa pajtimin e tyre ka përzgjedhur vetëm kryeministrin Albin Kurti, presidenten Vjosa Osmani dhe kryetarin e Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, si dhe ish-ambasadorin William Walker për fjalë rasti.

Sekretari i OVL-UÇK-së në Shtime e ka parë këtë si një tendencë për përjashtimin e UÇK-së.

“Refuzimi i anës së tyne është se do të ndjeket protokolli, ka me folë presidentja, kryeministri dhe kryetari i komunës. UÇK nuk mbetet në protokoll zyrtar. Pra është një tendencë për me e shkëput UÇK-në dhe luftën e UÇK-së”, deklaroi ndër të tjera ai.

I njëjti ka bërë të ditur se paraprakisht kanë zhvilluar takime të rregullta me përfaqësues të ekzekutivit dhe kërkesa ka qenë e vazhdueshme, mirëpo përgjigja u është dhënë tek dje.

“Na gjithë javën i kemi pas takimet e rregullta, kryetari i OVL-së, kryetari i shoqatës së familjes së dëshmorëve, përfaqësuesin që e kemi në tri shoqata, është familjar i familjes Asllani që i ka 11 të zhdukur. Kanë qenë pjesë edhe drejtoritë komunale në takimin e Këshillit Organizativ për Masakrën e Reçakut. Deri dje në orën 18:00 ka qenë kërkesë e vazhdueshme që me fole dikush nga zona e Nerodimës. P.sh. me folë gjenerali ose ish-drejtori politik apo gazetari që ka folur çdoherë dhe ka qenë akterë me të gjitha veprimet me William Walker, z. Jashari ose dikush që e ka përjetu. Nuk është pranu prej Qeverisë”, ka deklaruar më tej ai për Demokracia.com.

Ditëve të fundit ka pasur reagime edhe për mënyrën e dorëzimit të ftesave për pjesëmarrje në Masakrën e Reçakut nga ana e Këshillit Organizativ. Sipas banorëve, ata ua ka lënë në shitore lagjeje ftesat dhe jo nëpër shtëpi.

Një ditë përpara përvjetorit të Masakrës së Reçakut, banorët e Reçakut i kishin revoltuar edhe emërimet e kryeministrit Kurti të dy zëvendësministrave si “dhuratë” për ministrin e tij, Nenad Rashiq, i cili votoi kundër ndarjes së mjeteve financiare për mbulimin e shpenzimeve të librit të William Walker për Masakrën e Reçakut.

Demokracia.com ka mësuar se organizatat e dala nga lufta po e shqyrtojnë mundësinë e bojkotimit të tërësishëm të agjendës së Këshillit Organizativ dhe të bëjnë nderime në Reçak ndarazi nga përfaqësuesit e institucioneve lokale e qendrore për shkak të pakënaqësive me qasjen politike të tyre.

Më 15 janar 1999, në fshatin Reçak u vranë dhe u masakruan barbarisht afër 50 shqiptarë të paarmatosur. Në orët e hershme të mëngjesit të 15 janarit, Reçaku ishte zgjuar i rrethuar. Sipas dëshmitarëve, aty rreth orës 06:30, forcat serbe me artileri të rëndë kishin filluar ta bombardojnë fshatin. Pas ndërprerjes së bombardimeve, forcat serbe ishin futur në fshat dhe kishin filluar bastisjet.

Masakra e Reçakut zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë botërore, duke u mobilizuar për Kosovën. Tmerret e shkaktuara në fshatin Reçak sollën në vëmendje gjithë botën e civilizuar, pasi që kjo masakër shpalosi të vërtetën rreth planit gjenocidal të ish-kriminelit Sllobodan Millosheviq.

Pas Reçakut, çështja e Kosovës arriti në një konferencë ndërkombëtare në Rambuje e në Paris, mossuksesi i të cilës rezultoi me ndërhyrjen e NATO-së kundër forcave ushtarake serbe, largimin e tyre nga Kosova dhe vendosjen e administratës ndërkombëtare në Kosovë.