Jventusi e pushtoi “San Siron” mbrëmë 1-2 falë golave të Dybalas dhe Higuainit. Bardhezinjtë fluturuan në krye të renditjes së Serie A, por Inter-Juventus është një rivalitet pa fund.

Mes tyre, beteja për titullin e vitit 2006 është ende e hapur. Klubi torinez ka bërë një apel tjetër në gjykatat përkatëse, kundër dhënies së atij titulli për zikaltërit, por ish presidenti i Interit, Massimo Moratti, është kategorik për këtë:

“Pas kaq vitesh shoh që ata po insistojnë… Kjo është një histori pa fund, – tha Moratti për “Radio Anch’Io Sport”. –Ata duhet të gjejnë dikë, që mund t’iu japë arsye, përndryshe është e pamundur”.

Pastaj, biseda u zhvendos në fushë:

“Ishte një pjesë e parë e bukur, emocionuese, kur Interi luajti shumë mirë. Pjesa e dytë ishte pak më e mërzitshme dhe Interi ra pak. Unë e llogaris Interin kandidat për titullin. Ekipi duhet të ketë vazhdimësi, pastaj shpresojmë që Juventusi të përqendrohet më shumë te Championsi. Interi mund ta aspirojë titullin, por kundërshtari më duket jashtëzakonisht i fortë. Trajneri është shumë i rëndësishëm dhe më duket se lojtarët e ndjekin atë. Conte është një goditje e mirë”.

Sipas ish presidentit zikaltër, falë Contes, Interi mund të fillojë një cikël fitoresh të ngjashme me ato nën drejtimin e tij:

“Me Conten, Interi ka filluar të rindërtohet. Unë mendoj se me disa blerje të tjera të goditura, ekipi mund të bëhet mjaft i fortë, gati për një cikël shumë të suksesshëm”.

Nëse Interi mund të fillojë një “cikël suksesesh”, në anën tjetër të Milanos, kuqezinjtë po kalojnë një moment krize dhe Giampaolo duket se i ka orët e numëruara. Si një njohës i vjetër i futbollit italian, Moratti jep indikacione për trajnerin e ri të Milanit:

“Spalletti, ose Ranieri? Unë jam i dhënë pas të dyve. Edhe pse Spalletti nuk ka qenë kurrë trajneri im, ka qenë gjithmonë i këndshëm për mua. Ai ka shumë cilësi dhe ndoshta dëshiron të nisë një sfidë të re, pas një situate jo shumë të lumtur me Interin”.

Pas triumfit në derbin e mbrëmshëm, Moratti njohu edhe meritat e Juventusit:

“Herë pas here, skuadra bardhezi dha shfaqje spektakolare mbrëmë, po fillon nga një bazë shumë e fortë, falë punës së Allegrit. Goli i dytë ishte një veprim i mrekullueshëm, Sarri e do futbollin e bukur dhe sigurisht po sjell diçka të re”.

loading…