Monitoruesi britanik i mediave e shpall “shakanë e muajit” mohimin e Masakrës së Reçakut nga mediumi serb në Kosovë

“The Troll of the Month” ose “Shakaja e Muajit” ndahet nga ana e monitoruesit britanik të mediave në Ballkanin Perëndimor (BP) ‘Reporting Diversity Network 2.0’ për ata që përhapin gjuhën e urrejtjes. Këtë çmim monitoruesi britanik i mediave ia ka ndarë mediumit “Kosovo Online” për mohim të Masakrës së Reçakut.

“Gjatë përkujtimit të përvjetorit të masakrës në Reçak, William Walker mori pjesë në këtë ngjarje siç kishte bërë në të kaluarën. Mirëpo, me këtë rast mediumi i shkruar online ‘Kosovo Online’ ka shfrytëzuar rastin për të përhapur qëndrimin e kryeredaktorit të tyre, i cili haptas mohoi masakrën në Reçak. Artikulli titullohej me një mohim të hapur të ngjarjeve në Reçak dhe përkujtimit të tij; “Çdo 15 janar në 24 vitet e fundit hapet dollapi i vjetër me falsifikime të historisë së re të Kosovës”. Artikulli vazhdon duke mohuar ngjarjet që kanë ndodhur në atë rajon të Kosovës. Redaktori i portalit, Millosh Gariq deklaroi hapur se ky ishte ‘falsifikim i historisë’, dhe se versioni I vërtetë  i ngjarjeve ishte se forcat serbe po luftonin kundër pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, qëllimi kryesor i të cilëve ishte ‘marrja’ e Kosovës nga Serbia”, thuhet në komunikatën e monitoruesit britanik të mediave në BP, shkruan Demokracia.com.

“Publikimi i mohimit të krimeve të ndodhura në Reçak nga kryeredaktori i portalit është jashtëzakonisht problematik. Ai shërben për të thelluar ndarjen midis shoqërisë dhe për të mbështetur narrativat e dëmshme pa marrë parasysh pak ose aspak ata që kanë rënë viktima të krimeve të tilla. Mohimi i krimeve të luftës dhe mizorive njerëzore nga zyrtarët, mediat dhe ata me ndikim e bën pothuajse të pamundur ballafaqimin me të kaluarën dhe vepron si një pengesë për një proces pajtimi në rajon. Kjo në tërësi krijon një pykë midis dy grupeve etnike dhe parandalon vendosjen e marrëdhënieve më të mira ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, thuhet në raportin e ‘Reporting Diversity Network 2.0’.

Në Masakrën e Reçakut u vranë mizorisht 45 shqiptarë nga forcat gjenocidale serbe si reagim ndaj veprimtarisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.