Monedha dixhitale e Kinës nuk do të jetë si Bitcoin

Drejtori i Bankës Qendrore Kineze Mu ChangChun tha se formati dixhital i monedhës vendase Yuan do të jetë ndryshe nga Bitcoin dhe stablecoins.

Sipas tij monedha dixhitale e Kinës do të jetë një formë elektronike e Yuan por pa hapësirën për të spekuluar në vlerën e saj dhe pa pasur nevojë për mbështetjen e një shporte monedhash.

Banka Kineze ka përshpejtuar përpjekjet e saj për të lançuar një monedhë dixhitale e cila do të sfidojë dollarin Amerikan. Testimet e para pritet të ndodhin përpara mbylljes së këtij viti.

Nën mbikëqyrjen e Bankës Qendrore, katër bankat kryesore dhe lojtarë kryesor ekonomik në vend si China Telecom do të testojnë monedhën dixhitale dhe format e pagesës përmes saj.

Por Mu bëri të qartë se Kina nuk i ka shpallur luftë parave prej letre me lançimin e monedhës dixhitale. Përkundrazi ajo do të ketë funksion plotësues dhe bazohet plotësisht tek sistemi financiar aktual.