Momenti kur Thaçi ia numëronte Vuçiqit krimet e Serbisë në Kosovë midis OKB-së

Tashmë ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit i është konfirmuar aktakuza nga Gjykata Speciale, por më datë 17 dhjetor 2018 në Këshillin e Sigurimit në OKB, ai ia kishte numëruar presidentit, Aleksandar Vuçiq, krimet e Serbisë në Kosovë.

Thaçi në fjalimin e tij kishte thënë se shteti i Serbisë në konfliktin e Kosovës ka vrarë 13.500 civilë shqiptarë, e për këto s’ka të akuzuar e lërë më të dënuar.

Poashtu atëherë presidenti kishte thënë se beson në luftën e drejtë që kanë zhvilluar.

Fjalimi i plotë:

Ju falënderoj të gjithëve për mirëkuptimin dhe mbështetjen. Nuk duhet të mohojmë të kaluarën, dihet viktima, dihet agresori.

Nuk ka dhe nuk do të ndodhë rishkrimi i historisë. Lufta ka ndodhur në shekullin 20, prandaj dua të shikojmë pa drama, pa teatër, pa spektakle por të pranojmë realitetin.

Por me që u përmendën gjërat jo të qëndrueshme atëherë detyrohem edhe unë që t’i numëroj disa fakte para jush. I pëlqeu dikujt apo jo, shteti i Serbisë në konfliktin e Kosovës ka vrarë 13.500 civilë shqiptarë.

Aparati shtetëror i tyre, formacionet e tyre ushtarake policore paramilitare kanë dhunuar rreth 20 mijë femra shqiptare.

Për 13.500 civilë shqiptarë të vrarë asnjë i akuzuar e lërë më i dënuar. Për 20 mijë femra shqiptare të dhunuara asnjë i akuzuar e lërë më i dënuar. 1 milion shqiptarë të dëbuar më dhunë nga shteti i Serbisë. 40% të infrastrukturës në Kosovë e shkatërruar, i akuzuar Sllobodan Millosheviqi por i padënuar.

400 masakra kundër shqiptarëve asnjë i akuzuar e lërë më i dënuar. Vetëm në fshatin Izbicë 160 të vrarë, njerëz të moshuar, gra fëmijë. Në Krushë 250 civilë të vrarë, gra, pleqë, fëmijë e 64 të pagjetur, askush i akuzuar e as i dënuar. Në fshatin Mejë 360 fëmijë, gra, pleqë, civil të vrarë. Asnjë i hetuar, as akuzuar as i dënuar. Në fshatin Studime 116 të vrarë, askush i akuzuar as i dënuar. Vazhdojmë me Reçak, Rezallë, Obri e masakra të tjera.

Ndërsa ata që thirren shumë me drejtësi, theksoj se luftëtarët e Kosovës, kanë kaluar disa prej tyre në procedura të drejtësisë së misionit të OKB-së, dmth UNMIK-ut, paralelisht më Tribunalin e Hagës, EULEX-it tash e 20 vite.

Kosova duke dashur të tregojë përgjegjësi të lartë shtetërore, duke besuar në të vërtetën, duke besuar në drejtësi, në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare, me Bashkimin Evropian i ka themeluar vetë Dhomat e Specializuara do t’i përgjigjet autoritetit të tyre me një proces të përgjegjshëm dhe transparent e kredibil. Por gjithashtu më lejoni të theksoj se pavarësisht se jemi viktima sot në Kosovë më tepër ka të dënuar shqiptarë për krime lufte sesa serbë. Ndërsa në Serbi asnjë serb nuk është dënuar për spastrimin etnik dhe 400 masakrat e kryera kundër shqiptarëve në Kosovë. Madje atje është mbyllur apo nuk funksionon fare as Zyra për krimet e luftës.

Unë plotësisht besoj në luftën e drejtë që kemi zhvilluar sikur që në të njëjtën kohë nuk e kontestoj që ndonjë luftëtar ka devijuar nga fisnikëria e luftës së lirisë”.