Momenti kur Ramiz Lladrovci i kërkon Thaçit ta stolisë me medalje të kampionit (VIDEO)

Feronikeli është shpallur kampion i Superligës së Kosovës për edicionin 2018/2019.

Skuadra e Zekirija Ramadanit arriti që në “Rexhep Rexhepi” ta mposhtë FC Prishtinën në ndeshjen e fundit dhe ta fitojë titullin e tretë në histori.

Në ndeshjen që u zhvillua në Drenas, Feronikeli fitoi me golin e vetëm të shënuar nga Yll Hoxha në pjesën e dytë, në minutën e 73’.

Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve kishte një ndryshim të vogël. Vitin e kaluar medaljen dhe trofeun e kishte ndarë kryeministri i vendit, këtë edicion e bëri Hashim Thaçi, president i vendit.

Ai nuk e la pa e dekoruar edhe mikun e tij, kryetarin e Drenasit, Ramiz Lladrovci me një medalje, natyrisht me kërkesë të këtij të fundit.

Lladrovci qëndroi afër klubit që nga fillimi i edicionit dhe deri në arritjen e suksesit historik.

Lladroci ishte ndër më meritorët për investimet e shumta të biznesmenit Naser Ramaj në klubet e sportit në Komunën e Drenasit.

Pas këtij triumfi, ekipi nga Drenasi do të marrë 50 mijë euro shpërblim nga Federata e Futbollit e Kosovës, por fondet më të mëdha pritet të vijnë nga UEFA.

Kështu 260 mijë euro “industrialistët” do ti arkëtojnë në konton e tyre si kampion i Kosovës nga UEFA, ndërkohë edhe 220 mijë të tjera do të shprazen në xhirollogarinë e tyre për pjesëmarrje në ciklin parakualifikues për Champions League.

Mbi gjysmë milioni euro për kampionin e ri të vendit, teksa kjo shumë mund të rritet varësisht nga performanca e tyre në garat ndërkombëtare.

Kujtojmë se cikli parakualifikues i Ligës së Kampionëve këtë edicion do të luhet në Prishtinë.