Momenti i përplasjes së ashpër Haxha-Blerta Deliu: Pasha Zotin m’ke kërku punësime në PTK (VIDEO)

Pas një pauze të Komisionit Hetimor parlamentar në lidhje me gjendjen në Post Telekomin e Kosovës ka filluar përsëri mbledhja e komisionit me dëshmitar ish kryeshefin e PTK-së, Shyqeri Haxha.

Menjëherë pas fillimit të mbledhjes kanë filluar akuzat ndërmjet Shyqeri Haxhajt dhe deputetes së PDK-së Blerta Deliu-Kodrës

Blerta Deliu ka thënë se do të iniciojë padi, ndaj deklaratave të Haxhajt se i ka kërkuar që të punësojë njerëz në PTK.

“Unë do të ngrej padi ndaj dëshmitarit pasi që nuk lejoj që emri im të lakohet nga njerëz që kanë ardhur të dëshmojnë për dështimin e PTK-së, të më akuzojnë mua që jam e zgjedhur qe tri mandate nga populli”, ka thënë deputetja.

Deliu-Kodra i ka thënë se asnjëherë nuk është takuar më herët me Shyqeri Haxhën.

Blerta Deliu Kodra është shprehur se nëse veç një person mundet Haxha ta gjej që ajo e ka punësuar do të jap përgjegjësi para këtij komisioni dhe para deputetëve.

Shyqeri Haxha ka thënë se është nën betim dhe dëshmon se Deliu Kodra i ka kërkuar punësimin e njerëzve.

“Në një manifestim më je afruar dhe më ke kërkuar të punësoj njerëz” ka thënë Haxha

Shyqeri Haxha ka thënë se do ta padis Deliu-Kodrën për siç ka thënë ai shpifjen se kinse ia ka dhënë 400 mijë euro për filmin e Azem Galicës Halil Budakovës. Në të njëjtën mënyrë i është përgjigjur edhe deputetja Deliu Kodra, e cila po ashtu ka thënë se do ta padis Haxhën për shpifje.