Momenti i arrestimit të të dyshuarit që vrau shtatë persona në Kaliforni

Një punëtor veteran i një ferme (67-vjeçar) ka vrarë shtatë kolegë punëtorë bujqësorë kinezë në atë që lajmet lokale e përshkruan si një mosmarrëveshje në vendin e punës.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Zhao Chunli, i cili jetonte në Half Moon Bay, u arrestua dhe po “bashkëpunon plotësisht” me zbatimin e ligjit, thanë zyrtarët.

Të shtënat ndodhën në dy lokacione të veçanta por zyrtarët nuk janë të sigurt se në cilin ndodhi i pari.

Fëmijët ishin të pranishëm në vendngjarje në atë moment, sepse disa nga punëtorët jetonin aty me familjet e tyre.

Një person i tetë u qëllua dhe u plagos dhe u transportua me helikopter në Qendrën Mjekësore Stanford.

ABC7 News konfirmoi se i dyshuari, i cili jetonte në Pescadero, kishte punuar për dekada në një nga fermat e kërpudhave ku ndodhën të shtënat dhe të gjitha viktimat ishin bashkëpunëtorë të tij.

Ndërkohë pamjet dramatike tregojnë momentin kur Zhao u arrestua, në parkingun e zyrës së sherifit të Half Moon, në orën 16:40.

Vrasjet vijnë më pak se 48 orë pasi 72-vjeçari Huu Can Tran qëlloi dhe vrau 11 persona që ishin duke festuar Vitin e Ri Hënor në Monterey Park, pranë Los Anxhelosit.