Momenti i arrestimit të një gruaje që merrej me fajde

Një takim ishte organizuar që të ndodhte në stacionin e autobusëve në Pejë, ku tashmë i dëmtuari do t’i dorëzonte një shumë prej 100 eurove si kamatë për fajde bashkëshortes së një personi nga i cili fillimisht ishin marrë paratë.

Stacioni i autobusëve në Pejë tashmë ishte siguruar me praninë e hetuesve policorë, të cilët po prisnin urdhrin e prokurorit për të arrestuar të dyshuarën.

Një bisedë mes të dyshuarës dhe viktimës së fajdesë do të zbardhte në përpikëri organizimin e fajdesë.

E dyshuara, gruaja e personit i cili kishte vdekur disa ditë më parë, para këtij takimi, nis bisedën me të dëmtuarin për marrjen e fillimisht 200 eurove dhe dhënien e kamatës.

“Po unë ty t’i kam dhanë, a e din atëherë që t’i jepsha ty, babës tënd, familjes tënde, unë e kam pa prej pashës unë e di, nuk kam mujt me thirrë anej se më ka ardhur keq, njeri ka ardhur në shtëpi, p.sh. thojsha qysh unë me ardh me ta pagu kamatën, Pasha …. njeri i vdekun. Jam vonu motër nja katër ditë…”, fillon biseda mes të dëmtuarit ndërsa vazhdon tutje të tregojë për problemet e tij financiare dhe familjare pas këtij borxhi që kishte marrë, transmeton Kallxo.com.

“Dëgjo çka është problemi te një vëlla, ti e din edhe njëherë m`i pat çu një vëlla 500 euro që ja kom pru juve. Tu ja lyp se unë jam tinëz familjes, unë e di p.sh. Pashës ….. ia kam 150 euro borxh qat kamatë, e pranoj është obligim se ia kam marrë paret, a e din në fillim po unë jam kanë motër i rregullt edhe ti më thirre atë ditë në telefon dhe më the data 11, ti e din motër që tri vjet me datën 12 mos ma luni, kam çejf real, kurrë nuk ia kam lujtë datën…”, tregon i dëmtuari ndërsa, e dyshuara i pren fjalën duke i thënë se i ka marrë njëherë 200 euro e më pas edhe 500 euro të tjera.

Tutje në bisedë dëgjohet edhe se si i dëmtuari i thotë të dyshuarës se kanë qenë komshinj por ka vuajtur nga ta.

Më keni kojshi bre motër, veç më keni bërë telashe bre qite dorën në zemër, a ka njeri ma tolerant në botë se unë, tri vjet datën 12 gjumin s’e kam bërë, mos ua kam vonu një ditë? Ju kam përgjigjë…”, dëgjohet duke thënë i dëmtuari ndërsa e dyshuara ia kthen: “Një ditë, dy nuk ka problem pse i vonon”.

I dëmtuari gjatë bisedës i përmend të gjitha paratë që i ka dhënë kamatë dhe nuk e ka ditur familja e tij.

“Motër veç diçka, edhe unë jam i dëmtuar për shembull me folë ka del shpirti. 5000 euro i kam çu anej kurrë s’ka ditë familja. Ju kam thanë mos më hajdi te dugoja, po më stresoni. Ju kam thanë mos më hajdi, po…  me fol ka del shpirti, rahmetlia ishalla zoti ja banë dritë se unë foli si kojshi. Motër kur vike ma dridhke shpirtin, kur mi marrke paret, ju tutsha motër ka 150-she sa ka deshtë ma ka ba motër, unë e kam mshel gojën jam trishtu prej po jam tut edhe prej teje, po të dregoj drejtë…”, vazhdon biseda e të dëmtuarit.

Pas një bisede disa minutëshe, i dëmtuari dhe e dyshuara merren vesh që një shumë prej 650 eurove në total të cilën duhej të paguhej nga i dëmtuari të silleshin në mbrëmje.

“Edhe 650 i ki në mbrëmje…. Ja, ja ato janë ashtu se unë i kam të shënuara… Ja, ja ti 500 i ke marrë, ka 100 i ke pasur për 500-she… 400 i ke marrë për me i kthy 500… I bjen edhe 650 euro edhe kryhemi, qe don mirë, që jo vjen vëllau i tij fol me ty…”, thotë e dyshuara.

Pas gjithë kësaj bisede, marrjes së parave nga ana e të dyshuarve, hetuesit policor të cilët kishin arritur që të siguronin zonën e stacionit të autobusëve në Pejë, morën urdhrin e Prokurorit Dorian Juniku që e dyshuara të arrestohej pasi ishin përmbushur të gjitha kushtet ligjore.

E njëjta pas arrestimit u dërgua për intervistim dhe në mbajtje për 48 orë.

Gjykata e Pejës kishte vendosur që ndaj të njëjtës të vendosej masa e sigurisë arrest shtëpiak për  një muaj.