Moment i paparë deri më tash: Njësia Speciale çanë edhe një barrikadë tjetër… Shihni VIDEO-n

Policia e Kosovës ka zhvilluar të martën një operacion në veri dhe jug të Mitrovicës, i cili ka rezultuar me ndalimin e 19 zyrtarëve policorë dhe të disa qytetarëve.

Siç kanë njoftuar zyrtarët e Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe Policisë së Kosovës, aksioni policor, kishte për qëllim luftimin e krimit dhe kontrabandës. Gjatë aksionit policor, nga të shtënat me armë zjarri është plagosur një zyrtar policor. Ndërkaq, 4 zyrtarë policorë të tjerë kanë marrë lëndime të lehta gjatë zbatimit të detyrave.

Operacioni policor ka përfshirë disa rajone të ndryshme, përfshirë komunat Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq, Mitrovicë Veri, Mitrovicë Jugu, Skenderaj dhe Drenas.

Prokurori Sylë Hoxha, njëherësh edhe zëdhënës i Prokurorisë Speciale të Kosovës, ka theksuar se kjo prokurori që nga prilli i vitit të kaluar ka nisur veprimet procedurale ndaj disa personave të dyshuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, për krim të organizuar, për kontrabandim me mallra, si dhe marrje dhe dhënie të mitos.

Sipas tij për një vjet rresht, Prokuroria Speciale ka grumbulluar provat dhe më pas ka marrë nga Gjykata Themelore e Prishtinës urdhrin për kontroll në shtëpitë dhe lokalet përcjellëse të të gjithë të dyshuarve.

“Në mesin e të dyshuarve kemi eprorë dhe zyrtarë të Policisë së Kosovës, kemi pjesëtarë të nacionalitetit serb, pjestarë të nacionalitetit shqiptar, të atij boshnjak dhe kështu me radhë. Në mesin e të dyshuarve kemi edhe qytetarë – nuk janë zyrtarë – të cilët i kanë kryer veprimet e tyre, të cilat dyshohet se janë kontrabandim i mallrave dhe për vepra të ngjashme”, ka thënë prokurori Hoxha.

Miradije Kelmendi nga Inspektorati i Policisë së Kosovës ka thënë se ky inspektorat, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ka zbatuar planin operativ në pjesën veriore të Kosovës.

“Në operacionin e sotëm janë bastisur 12 lokacione, janë arrestuar 19 punonjës të Policisë së Kosovës, prej tyre, 11 janë të nacionalitetit serb, 4 të nacionalitetit shqiptar dhe 4 të nacionalitetit boshnjak. Prej punonjësve të arrestuar, 1 ka qenë me gradën e kapitenit, komandant stacioni, 3 me gradën e rreshterit dhe të tjerët zyrtarë policorë”.

“Janë konfiskuar gjëra të ndryshme ilegale, që do të shërbejnë si provë materiale në procedurat penale, si: armë, pajisje teknologjike dhe një sasi parash. Hetimet në këtë rast do të vazhdojnë edhe më tutje, në drejtim të zbardhjes së dyshimeve në lidhje me veprimet e lartcekura”, tha Kelmendi.

Në këtë aksion policia ka hasur në disa bllokada, por të cilat i ka tejkaluar duke e liruar rrugën me forcë.

Njëra nga këto video që nuk është parë ende tregon momentin kur Njësia Speciale godet edhe kontejnerin e metalit që ishte vendosur në rrugë. /Ballkani.info/