Molliqaj thotë se qeveritë ndërrohen, Limaku vazhdon e trashet. Publikon një vendim të marrë nga Besnik Bislimi

Kryetari i Partisë Socialdemokrate të Kosovës Dardan Molliqaj, ka akuzuar dy ish-partnerët qeverisës Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjen Vetëvendosje, se po i mundësojnë të përfitoj kompania koncesionare e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” LIMAK.

Sipas Molliqajt përfitimet e LIMAK janë lejuar nga ish-ministri i Financave Besnik Bislimi por që është vazhduar edhe në Qeverinë Hoti.

Klan Kosova ka raportuar lidhur me zhvillimet në ANP “Adem Jashari”, para afërsisht tre javësh.

Reagimi i plotë i Molliqajt:

Ekonomia e pandemisë: qeveritë ndërrohen, Limaku vazhdon e trashet

Kompania që ka në koncesion ANP “Adem Jashari”, kompania Limak, është trajtuar në mënyrë të favorizuar nga Qeveria Kurti, dhe po vazhdon të trajtohet njëjtë nga Qeveria e Avdullah Hotit.

Besnik Bislimi ka qenë mjaft transparent kur publikonte masat gjatë pandemisë. Por, një vendim nuk e nxori në Facebook. Vendimi mban datën 2 qershor, një ditë para votimit të Qeverisë Hoti. Duke qenë ministër në detyrë, tek po dilte nga zyra, Bislimi mori një vendim që normalisht i lihet pasaardhësit. Sidomos kur ky pasardhës është ish partneri nga një koalicion me gjithë ato armiqësi.

Në kohën kur buxheti ka më shumë nevojë për të hyra, kur ATK po u rri te dera e po i ndjek këmba-këmbes bizneset e vogla e të mesme, kompania turke mori favore që rrallëkund shtet t’i jep në kohë krize.

Ajo përfitoi shtyerje për pagesat e taksës koncesionare të gjysmës së vitit 2019 kur s’kishte fare pandemi, dhe shtyerje të këstit të parë të vitit 2020. Deri në janarin e vitit 2021 Limaku nuk do t’i paguajë asnjë cent buxhetit të Kosovës. Veç kësaj, depozita bankare që sipas kontratës koncesionare Limaku është i detyruar ta mbajë në BQK është shndërruar në garanci bankare. Bëhet fjalë për 5 milionë euro kesh që Limaku i merr në shfrytëzim. Për ta bërë këtë gjë do të ndryshohet kontrata e koncesionit. Për këtë gjë vendimi i Bislimit e autorizon Departamentin Qendror për PPP.

Për ta përmbledhur. Progresionit të fitimit që ishte në rritje vit pas viti, i është përgjigjur rritja e shumës së pagesës së taksës koncesionare. Në vitin 2018 Limaku pagoi fiks 10 605 185 taksë. Sipas të gjitha vlerësimeve, kjo vlerë është më e madhe në vitin 2019. Gjysma e këtij viti bashkë me kestin e parë të vitit 2020 nuk mund të jenë më pak se 10 milionë euro shtyerje. Shtoja kësaj edhe 5 milionët e depozitit që Limak me gjasë tashmë i ka tërhequr nga BQK, përbëjnë favorë që nuk mund të arsyetohen me një paragraf tekst, të mbushur me terminologji teknike.

A është e mundur që gjithë ky likuiditet që po i garantohet Limakut të arsyetohet në emër të pagesës së punëtorëve kur e dimë se aeroporti ka qëndruar i mbyllur jo më shumë se 2 muaj? Mua më shumë më ngjan në subvencionim të fitimit dhe eliminim të riskut.

Cilit biznes tjetër i është mundësuar një trajtim i tillë?! Këtë përgjigje duhet ta japin Besnik Bislimi e Albin Kurti, por edhe Hykmete Bajrami e Avdullah Hoti që po e vazhdojnë të njëjtin avaz.

Pyetja tjetër është baza ligjore. Sipas kontratës së koncesionit, për t’u thirrur në forcën madhore, aeroporti nuk duhet të punojë 180 ditë brenda 24 muajsh. Vendimi e përmend forcën madhore, dhe prej tij merret vesh që Limaku i ka kërkuar këto favore prej Qeverisë.