Molliqaj: Sot Kurti është jashtë kohës, si i tillë i kaloi koha

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka thënë se Kurti po i numëron ditët e fundit në qeveri.

Ai ka thënë se Kurti po i kthen faktet dhe realitetin sipas nevojës së tij duke mohuar e manipuluar.

Ai duke iu referuar komunikatës së Departamentit të Shtetit të SHBA-ve thotë se realiteti paralel i Kurtit e përkthen në mbështetje për vetën.

“Një ngjarje para kësaj ishte shkarkimi i Kurtit nga pozita e Kryeministrit për shkak se nuk guxoi të ballafaqohej me problemet politike të vendit. Realiteti i tij paralel e cilëson si “puç të butë” ndaj liderit revolucionar i cili imponon rregullat dhe përcakton cilësi.”, tha Molliqaj.

Ky është postimi i plotë i tij:

DITËT E FUNDIT TË QEVERISË KURTI

Aftësia e Kurtit për t’i përkthyer faktet dhe realitetin sipas nevojës që ka është saktësisht mënyra sesi ai përballet me situaten: mohim – manipulim. Pavarësisht a pajtohemi ose jo, Grenell shquhet për qartësi brutale, pa nënkuptime. Grenell, Palmer dhe Kosnett njëzëri demantuan Kurtin në pretendimin e tij për një marrëveshje sekrete dhe të dëmshme. Ndërsa Kurti nga ana tjetër rezonon çuditshëm. Realiteti paralel i Kurti e përkthen në mbështetje për veten.

Një ngjarje para kësaj ishte shkarkimi i Kurtit nga pozita e Kryeministrit për shkak se nuk guxoi të ballafaqohej me problemet politike të vendit. Realiteti i tij paralel e cilëson si “puç të butë” ndaj liderit revolucionar i cili imponon rregullat dhe përcakton cilësi.

Tash që u bë e qartë se është çështje ditësh krijimi i qeverisë së re, realiteti paralel përsëri sajon një tregim tjetër për zgjedhje e fitore të reja me Kurtin kryeministër. Me gjasë Kurtin e nxen brenda vetes vetëm një realitet i maniplueshëm, i krijuar enkas për të: e vërteta e Kurtit rrenë.

Por mohimi dhe manipulimi i realitetit nuk e ndërron atë. Përmes mohimit të realitetit nuk krijohet dot një i ri, por krijohet nje realitet paralel – jashtë kohës, sic kemi rastin në fjalë. Sot mund të themi lirisht që Kurti është jashtë kohës. Si i tillë i kaloi koha.