Molliqaj: Qeveria Kurti dhe VV nuk brengosen që hendeku në mes të të pasurve dhe të varfërve po rritet

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, përmes një postimi të bërë në Facebook duke folur për krizën institucionale në këtë kohë pandemie, ka thënë që duhet angazhim që të shpëjtojmë jetë sot dhe mos të rrezikojmë jetë nesër.

Molliqaj ka thënë se është e papranueshme se si VV po kujdeset më shumë për mbajtjen e Kurtit në pushtet se sa të ballafaqohet me situatën e vështirë që ka krijuar përhapja e Coronavirusit në Kosovë, transmeton Indeksonline.

Ky është postimi:

Qeveria Kurti po zbaton masa të përgjithshme, kopje të dobëta të masave që po zbatohen kudo në rajon, pa e menduar fare kontekstin e Kosovës.

Gjendja e krijuar nga Coronavirus, nuk i prekë njëjtë të gjithë qytetarët e Kosovës. Dhe Qeveria Kurti, po të ishte e majtë progresive do të duhej ta dinte këtë dhe të vepronte si duhet.

Asnjë veprim qeveritar për kategoritë më të rrezikuara! Nuk mjafton masa që pensionistët të mos paraqiten për t’i marrë pensionet. Pensionet e tyre duhet të rriten, në mënyrë që të kenë mundësi ta përballojnë kohën e izolimit. Të moshuarit janë më të rrezikuarit nga virusi. Asnjë plan qeveritar që ta trajtojë në mënyrë të veçantë dhe me masa të veçanta këtë kategori.

Është e lehtë që me një vendim qeveritar të mbyllen të gjitha bizneset dhe të merren masat izoluese. Por ekonomitë e mëdha botërore e kanë shtyer maksimalisht kohën e marrjes së këtyre masave. Sepse është dashur t’u jepet kohë bizneseve dhe familjeve të përgatiten. A ka plan Qeveria Kurti se çka do të ndodhë me qindra mijëra punëtorë të sektorit privat që u ndërprehen pagat?!

Kurti vendosi masat izoluese, pa plan dhe pa synim që të organizojë shpërndarjen e barabartë të rezervave ushqimore. Dhe ja ku jemi: nga paniku, ata që kanë të hyra të mira janë furnizuar mirë; ata që s’kanë të hyra për të grumbulluar rezerva, sot nuk gjejnë as miell për të blerë. Asnjë plan për të siguruar rezerva disajavore ushqimore për familjet e varfëra.

Vendet e rajonit kanë ndarë me qindra miliona euro për të rritur kapacitetet shëndetësore dhe për të mbështetur ekonominë në këtë kohë krize. Albin Kurti ndau VETËM 10 milion euro! Dhe atë pa prezantuar asnjë plan veprimi për shpenzimin e tyre. Asnjë përpjekje e vogël nuk po bëhet për rritjen e kapaciteteve të shërbimit shëndetësor. Mungojnë madje edhe pajisjet bazike për mbrojtjen e personelit nga nga infektimi me virus. Krejt çka dëgjojmë janë justifikimet propagandistike se “e kemi gjetur shëndetësinë në gjendje të mjerë”.

Qasja e masave të përgjithshme të izolimit po rezulton e pamjaftueshme dhe e padrejtë gjithandej nëpër botë. Këto masa po rëndojnë mbi kurrizin e të varfërve dhe punëtorëve privatë, e ndërkohë as s’po mjaftojnë për ta ndalur virusin. Izolim dhe përkujdes i veçantë për të moshuarit, izolim për ata që janë të prekur, ndihmë për ata që janë në rrezik – këto do të duhej të ishin masat. Jo bllokimi i përgjithshëm që as nuk po ndihmon në raport me Coronavirus por edhe po e rrezikon shoqërinë dhe ekonominë.

Kjo situatë po e nxjerrë në pah, në mënyrë të rrezikshme për shoqërinë, se si Qeveria Kurti dhe VV nuk brengosen që hendeku në mes të të pasurve dhe të varfërve po rritet. Ata nuk e kanë mendjen te virusi e as te pabarazia. Ata e kanë mendjen se si ta nxisin popullin që ta mbështes pa kursim liderin autoritar që të mos bie nga karriga.