Molliqaj: Qëndrim qyqar i Sami Kurteshit për Qëndron Kastratin, djalin e dëshmorit e akuzoi për lidhje me Rakiqin

Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka folur për akuzat e Lëvizjes Vetëvendosje në drejtim të kryetarit të komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati për shkarkimin e kryesuesit të Asamblesë komunale nga radhët e Vetëvendosjes, Bajram Mavriqi.

Në një intervistë për Telegrafin, Molliqaj ka folur për akuzat dhe kundër-akuzat që kanë ardhur nga niveli qendror i VV-së për Kamenicë pasi që me kërkesë të kryetarit të Komunës është shkarkuar Mavriqi.

“Pas shkarkimit të drejtoreshës së Arsimit në Kamenicë, ka reaguar drejtuesi i Asamblesë komunale me akuza ndaj Kastratit, i cili më pastaj e ka shkarkuar Mavriqin. Mendoj se e ka bërë gjënë e duhur, sepse nuk mund të jesh bashkëpunëtor i kryetarit kur ke akuza të tilla”, ka shtuar Molliqaj.

Ai ka theksuar se është ndjerë keq më deklaratat e deputetit të VV-së, Sami Kurteshi në adresë të Qëndron Kastratit, ku sipas tij, Kurteshi ka theksuar se Rakiqi ia ka kthyer borxhin të parit të Kamenicës.

“Një qëndrim qyqar i Sami Kurteshit me ka zhgënjyer shumë. Të bësh akuza të tilla ndaj Qëndron Kastratit, për lidhjet e tij me Rakiqin, derisa dihet se babai i tij është dëshmor i kombit është për keqardhje”, ka shtuar Molliqaj.

Anëtari i Kryesisë së PSD-së ka folur edhe për qëndrimet e ndryshme që PSD-ja dhe VV-ja për tema të ndryshme në Kuvend.

Sipas tij, është konsumuar 90 për qind e debatit në mes VV-së dhe anëtarëve që iu bashkuan partisë së re.

“Është normale sepse kemi pozicione si dy parti të ndryshme politike, dhe tashmë kemi mospajtime për çështje të caktuara. Jemi dy parti tjera dhe kemi pozicione të ndryshme, ku edhe publiku ende na sheh si dikush që ka qenë bashkë”, ka shtuar ai.

Molliqaj ka folur edhe për rolin dhe bashkëpunimin PSD-VV në Prishtinë, duke thënë se shpeshherë VV-ja po është bllokuese në kuvendin komunal të Prishtinës, si rasti me buxhetin.

Ai në intervistën e dhënë ka folur edhe për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, datën e liberalizimit të vizave, konsolidimin e PSD-së, e cila sipas tij deri në fund të vitit do të shtrihet në tërë komunat e Kosovës, etj.