Molliqaj: Presidentja duhet ta dijë se UÇK-ja tashmë është histori dhe vlerë e paprekshme

Kreu i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka reaguar në një postim në facebook, pas vendosjes së flamurit me llogon e UÇK-së te Presidenca.

“Ta mohosh UÇK-në i bie ta mohosh provën kryesore të lirisë Institucionet e Kosovës, Presidenca dhe të gjitha tjerat nuk kanë kuptim as nuk shpjegohen pa UÇK-në.” ka shkruar Molliqaj në facebook.

Ai tha se Presidentja dhe secili duhet ta dijë se UÇK-ja tashmë është histori dhe vlerë e paprekshme.

“Presidentja dhe secili duhet ta dijë se UÇK-ja tashmë është histori dhe vlerë e paprekshme. Vjosa Osmani duhet ta dijë se roli i saj nuk lejon që smira e inatet e pushtetit t’ia shtrembërojnë vlerësimin për historinë.” ka shkruar ai.

Kujtojmë se partia që udhëhiqet nga Dardan Molliqaj ka zhvilluar sot një aksion në oborr të presidencës, raporton Ballkani.info

Ky aksion i PSD-së vjen pas akuzave që kanë shkuar në drejtim të presidentes Vjosa Osmani, pasi që kjo e fundit në një postim ku fliste për Kosharen nuk e përmendi UÇK-në. /Ballkani.info/

Postimi i plotë:

Ta mohosh UÇK-në i bie ta mohosh provën kryesore të lirisë Institucionet e Kosovës, Presidenca dhe të gjitha tjerat nuk kanë kuptim as nuk shpjegohen pa UÇK-në.

Pa UÇK-në këto institucione nuk do të ishin tonat, në fakt do të ishin ose kuislinge ose autonomiste. Të gjithë ne i dimë rrethanat ndërkombëtare dhe momentet që na sollën deri këtu.

Por, Kosova nuk u krijua nga hiqi. Këtu kishte popull, histori e vullnet. Kishte kërkesa e përpjekje autentike që nuk u shuan as në kohërat më të rënda. Presidentja shquhet për tonet pezhorative ndaj njerëzve të rezistencës, rezistencë që mbajti gjallë deri tek UÇK-ja, idenë e lirisë. Kulmi i këtyre përpjekjeve është lufta e UÇK-së. Ta mohosh UÇK-në i bie ta mohosh provën kryesore të lirisë, sakrificën dhe vullnetin e brendshëm.

Presidentja dhe secili duhet ta dijë se UÇK-ja tashmë është histori dhe vlerë e paprekshme. Vjosa Osmani duhet ta dijë se roli i saj nuk lejon që smira e inatet e pushtetit t’ia shtrembërojnë vlerësimin për historinë.