Molliqaj pasi u zgjodh kryetar i PSD-së, mesazh për VV-në: Historia s’merr fund me juve!

Dardan Molliqaj është zgjedhur kryetar i Partisë Socialdekorate, pas dorëheqjes së Shpend Ahmetit, pasi që ky i fundit kishte thënë se ai ishte përgjegjës si kryetar i kësaj partie, për zgjedhjet e 6 tetorit.

Molliqaj përmes një shkrimi të bërë në Facebook ka folur për besimin që ia dhanë për ta udhëhequr PSD-në, duke thënë se vetëm ata që nuk zmbrapsen para krizave mund të prodhojnë diçka të re në politik.

Ai duke folur për VV-në, ka thënë se Kosovën po e pret qeverisja populliste me mendësi totalitare, ndërsa shton se ka ende njerëz në Kosovë që popullizmin e tyre do ta sfidojnë me politikë të majtë progressive.

Ky është postimi i tij i plotë:

Sot Partia Socialdemokrate iu përgjigj thirrjes tuaj për të mos e ndalur përpjekjen, përkundër zhvillimeve të fundit elektorale. Sot treguam që nuk e shohim politikën përmes rezultatit afatshkurtër zgjedhor, por përmes idealeve dhe kauzave që u besojmë.

Pranova zgjedhjen tuaj që ta udhëheqi PSD-në në këtë fazë të vështirë, ngase besoj shumë që tek çdo dështim mbarset një përpjekje e re; dhe besoj shumë që rruga e progresit dhe fitores kalon pashmangshëm nëpërmes dështimeve. Vetëm ata që nuk zmbrapsen para krizave mund të prodhojnë diçka të re në politikë.

Përtej iluzionit të ndryshimit, Kosovën po e pret qeverisja populliste me mendësi totalitare. Dhe derisa me entuziazëm, popullistët e rinj, parashikojnë që nuk do të ketë opozitë as alternativë përballë pushtetit të tyre, ne do të jemi këtu t’ua kujtojmë që historia s’merr fund me ta. Që ka ende njerëz në Kosovë që besojnë në progres. Ka ende njerëz në Kosovë që nuk i tremb hegjemonia e pushtetit të ri. Që ka ende njerëz në Kosovë që popullizmin e tyre do ta sfidojnë me politikë të majtë progresive. Dhe këta njerëz, një ditë do të bëhen shumë.

Vetëm përmes perspektivës së aktivizmit dhe angazhimit këmbëngulës, mund të shohim përtej pashpresës e zhgënjimit. Bashkë, sot e pamë të ardhmen tonë në politikë. Të ardhmen si përpjekje e pandalshme edhe kur gjithçka përreth na thotë të ndalemi; të ardhmen si rrugë përplot me vështirësi, sfida e përbuzje. Por të ardhmen që në fund patjetër do të jetë e ndritur.

Ju falenderoj për entuziatmin e mbështetjen që e treguat sot. I falenderoj gjithë strukturat e deritashme drejtuese të PSD-së, së bashku me të cilët i përballëm fazat e vështira të së kaluarës.