Molliqaj pas aksionit të PSD-së: Albini nuk votoi, po fshehet diku në labirintet e godinës shumëkatëshe qeveritare

PSD ka zhvilluar një aksion para Qeverisë së Kosovës gjatë ditës së sotme. Kjo parti, sot me rastin e festës së pavarësisë së Shqipërisë, ka hapur referendum për bashkim me Shqipërinë.

Aty është vendosur një tendë për referendum, teksa është ftuar edhe kryeministri Kurti që të votojë.

Pasi kryeministri Kurti nuk u shfaq në këtë referendum për bashkim, ka reaguar kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj.

Ai ka thënë se Kurti po fshehët diku në labirintet e godinës shumëkatëshe qeveritare.

“Secili hap që e bën po na e kujton një hap tjetër që s’po e bën. Kauzat e braktisura janë hijet që po e ndjekin kryeministrin tonë në ekzil”, ka shkruar Molliqaj.

Kujtojmë se ditë më parë, kryeministri Kurti kishte deklaruar se do të votonte për bashkim kombëtar vetëm përmes një referendumi demokratik. 

Postimi i plotë:

Albini nuk votoi

E kemi përgatitur një vendvotim kajstile për zotërinë e tij. Por, nuk erdhi. Kurti nuk votoi sot në referendum për bashkim. Ai po fshehet diku në labirintet e godinës shumëkatëshe qeveritare. Secili hap që e bën po na e kujton një hap tjetër që s’po e bën. Kauzat e braktisura janë hijet që po e ndjekin kryeministrin tonë në ekzil.

Një përpjekje shoqërore që nuk sjell progres, domosdo do të rezultojë me disponim cinik e arsyetim nihilist. Epilogu i angazhimit shumëvjeçar po kthehet në vendin e njëjtë. Kemi qerthull vetëpërsëritës ku pengesat nuk përballen, por shërbejnë si arsyetime për të mos bërë asgjë. Braktisja e kauzave ia humb kuptimin angazhimit politik. Është dorëzim i politikës tek reaksioni, tek suksesi individual. Ky është rasti i Kurtit, ky është mësimi i tij.