Molliqaj: Nëse arrihet koalicioni LVV-LDK nuk do të jetë koalicion i shpresës por i zorit

Kryetari i Partisë Socialdemorkate, Dardan Molliqaj ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend si dhe bisedimet që po bëhen mes LVV-së dhe LDK-së, për arritjen e një koalicioni për formimin e Qeverisë.

Molliqaj në RTV Dukagjini,  ka thënë se LVV dhe LDK janë dy parti të ndryshme, dhe se për tu arritur koalicioni mes tyre njëra duhet të heq dorë nga vetja.

“Besoj që për një pjesë të konsiderueshme të njerëzve në Kosovë ka qenë e qartë se epilogu i kësaj marrëveshje nuk do të jetë as i shpejtë e as i lehtë. Vetë kam shprehur disa herë opinione sa i përket një mundësie të bashkëpunimit të dy partive të cilat dolën e para dhe e dyta në zgjedhjet parlamentare, për shkak se besoj se vijnë prej dy historive krejtësisht të ndryshme, përderisa njërën  anë e kemi një partie të themeluar si antisistem edhe antielitave në anën tjetër e kemi LDK-në, parti trashëgimtare të sistemit të elitave prej ish sistemit jo vetëm të pas luftës. Dhe si praktika politike janë krejtësisht të kundërta dhe koalicioni mund të arrihet mes këtyre dy subjekteve politike vetëm po heqi dorë njëra nga vetvetja. Se cila do të heqë dorë nga vetvetja atë mund ta shohim ditëve në vazhdim, ose nëse nuk do të heqë dorë asnjëra nga vetvetja, kjo vetvetja nuk paraqet ndonjë vlerë për të cilën unë besoj pra nuk paraqet ndonjë vlerë progresive ose reformatore”, ka thënë ai në “Debat Plus”.

Molliqaj ka thënë se nëse arrihet koalicioni mes LVV-së dhe LDK-së, ai nuk do të jetë koalicion i shpresës por i zorit.

“Rrugës dolën disa gjëra që nuk janë ditur, e para doli ajo që kemi thënë se Qeveria e re punën e parë do ta ketë dialogun, dialogu po bëhet një arrë e fortë për secilën Qeveri të ardhshme, dhe e dyta e cila nuk është më pak e rëndësishme, partitë të cilat negociuan vepruan asisoj që e shpërfaqën atë që nuk mund të bëjnë një koalicion të natyrshëm, koalicion të shpresës dhe zhvillimit. Edhe nëse do të ketë koalicion, nuk do të jetë asgjë tjetër përveç se koalicion i zorit të cilën e futën në kurth njëra tjetrën dhe që vështirë do te dalin pa pasoja”, ka theksuar ai.