Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, dikur bashkëpunëtori kryesor i tani kryeministrit Kurti, ka reaguar për takimin që i pari i qeverisë së bashku me presidenten Osmani zhvilluan mbrëm me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken.
Në një postim në Facebook, Molliqaj ka thënë se takimi është shumë i rëndësishëm, mirëpo nga ajo që ndjehet nga i njëjti, është se janë shkrirë disa raporte.
“Çka ndjehet nga ky takim është se u shkrinë disa raporte. Pra na paska qenë një problem aty. Por në kuadër të cilës qasje u pranua takimi? Test provues është marrëveshja me Serbinë dhe zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit”, ka shkruar Molliqaj.
Molliqaj tutje paralajmëron se si pasojë e qëndrimeve të shpërfaqura nga Kurti e Osmani ndër vite për çështjen e Kosovës, mund të ketë edhe Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe, mirëpo pa njohje reciproke.
Postimi i plotë i Molliqajt në Facebook:
Gëzim për vete miq
Dy mënyra përdorimi kanë pasur përherë takimet në Amerikë: për avancimin e Kosovës në nivel politik, ndërkombëtar, dhe për konsum ditor, luftë lokale për pushtet. Se cili është përcaktimi i pushtetarëve në krye të shtetit do të shihet më shpejt se që besohet.
Se takimi me sekretarin amerikan të shtetit Antony Blinken është tejet i rëndësishëm askush nuk e ka vënë në dyshim, deri me sot, më tepër se Kyreministri Kurti dhe Presidentja Osmani. Duke relativizuar dhe mohuar rëndësinë dhe kritikat kur ky takim nuk ndodhte. Ata e aktronin normalitetin. E minimizonin rëndësinë. Bënin retorikë. Tash që ndodhi takimi, shpërthyen nga gëzimi. Gëzim për vete miq.
Çka ndjehet nga ky takim është se u shkrinë disa raporte. Pra na paska qenë një problem aty. Por në kuadër të cilës qasje u pranua takimi? Test provues është marrëveshja me Serbinë dhe zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.
A u përdor Kosova si shkallë për raporte më të mira për veten e tyre? Cilat janë kërkesat, e cilat garanci u kërkuan në takim nga ShBA. E më kryesorja, në kuadër të cilës zgjidhje diskutuan? Ata nuk thanë asgjë të re. Pra jemi tek opsioni i vjetër, që nuk po vjetrohet.
Një gjë duket qartë nga sot që ripërcaktimi i kufirit nuk është temë, as çështje e Qeverisë Kurti. Çdo gjë ndryshe nga kjo është përjetësim i konfliktit. Mbajtja e tensioneve gjallë me Serbinë i konvenon vetëm atyre që nuk kanë guxim a vërtetësi në politikë.
Amerika është tregur mjaftueshëm e hapur për zgjidhje finale, sipas nevojës së Kosovës. Kurti e Osmani jo. Ata mbeten të ngujuar në pozicione sovraniste dhe të vetëmjaftueshmërisë. Theksimi i njohjes, por asnjëherë lloji i kompromisit, tregon shumë për substancën.
Njohja do duhej të ishte efekti politik i një marrëveshjeje përfundimtare. Por jo. Kur pozicion dhe kriter kryesor e ke njohjen në kuadër të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, si projekt, atëherë dihet që do ta kesh AKS-në, pa njohje.






