Molliqaj: Kurti u takua dy herë me Thaçin pas zgjedhjeve, e tregon edhe vendin

Ish’sekretari i VV’së, Dardan Molliqaj, tani kryetar i posazgjedhur i PSD’së, duke folur për ish partinë e tij, ka kritikuar kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, se po bën populizëm, dhe po i ndërron qëndrimet shumë shpejtë nga ajo çfarë ka deklaruar kur ka qenë në opozitë, dhe ka thënë se ai e ka takuar presidentin Thaçi.

Molliqaj në një intervistë në Interaktiv, ka thënë se Kurti është takuar dy herë me Hashim Thaçin, por ato takime janë bërë në fshehtësi.

Ai ka thënë se ka informacione se njëri takim është zhvilluar jashtë vendit dhe njëri në Kosovë.

Takimet e Kurtit me Thaçin, Molliqaj ka thënë se nuk i konsideron gabim, pasi ai e ka detyruar edhe me kërkesë të Ambasadës Amerikane, pasi kryeministri dhe presidenti do të duhet të jenë bashkë në dialog me Serbinë. Problemi sipas tij, qëndron te ajo se çfarë ka thënë Kurti kur ishte në opozitë, dhe si po vepron tani, edhe pse ende nuk e ka marrë pushtetin.