Molliqaj: KESCO dhe KEDS i kanë kushtuar Kosovës mbi 200 milionë euro

Partia Socialdemokrate deklaroi sot përmes një konference për media se qytetarëve të Kosovës iu ka kushtuar rreth 200 milionë euro kompensimi i humbjeve të KEDS-it dhe KESCO-s.

Kryetari i kësaj partie, Dardan Molliqaj, tha se KEDS nuk i ka paguar KEK-ut rrymën e prodhuar që nga shtatori i vitit të kaluar, ndërsa KESCO ka obligime edhe ndaj KOSTT-it.

Molliqaj akuzoi menaxhmentin e ri të KEK-ut dhe Qeverinë e Kosovës se e kanë mbajtur të fshehtë borxhin që i kanë të dy kompanitë private të dy kompanive publike. Sipas tij, nga mesi i shtatorit deri këtë muaj KEDS dhe KESCO i detyrohen KEK-ut rreth 61 milionë euro.

“Vetëm në 3 muajt e gjysmë të fundit të vitit të kaluar duke përfshirë nga mesi i shtatorit, 51 milionë euro nuk është paguar energji elektrike, të cilën KESCO dhe KEDS-i ia kanë shitur qytetarëve të Republikës së Kosovës, i ka marrë paratë nga ne, ndërsa për paratë që është dashur t’i paguajë KEK-ut nuk e ka bërë një gjë të tillë. Nëse llogaritet edhe janari i këtij viti që jemi në përfundim të muajit, ajo shifër do të mbërrijë në 61 milionë. Sipas shkresave të cilat ekzistojnë mes KEK-ut dhe KESCO-s flitet që edhe këtë muaj nuk do të paguhet kompania publike, pra nuk do të paguhet prodhimi”, thotë ai

Molliqaj përmendi edhe një borxh tjetër, që sipas tij, KESCO i ka kompanisë tjetër publike, Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT.

“Rrjedhimisht kemi 61 milionë në fillim të janarit borxhe të cilat i ka KESCO ndaj KEK-ut, por ky skandal nuk përfundon me kaq, prapë kompania private KESCO, e cila është kompani e shitblerjes për KEDS-in, i ka borxh kompanisë tjetër publike, që është kompania e Transmisionit, pra KOSTT-it, pra 30 milionë euro të tjera kompania KESCO private nuk i ka paguar kompanisë publike KOSTT”, vijoi Molliqaj.

Duke marrë parasysh këto borxhe si dhe duke ia shtuar edhe ndihmat dhe subvencionet e mëparshme, Molliqaj tha se KESCO dhe KEDS i kanë kushtuar Kosovës, në mënyrë direkte dhe indirekte, mbi 200 milionë euro.

“Si rezultat i kësaj shume mund të themi që përveç subvencionimit të mëparshëm që ka marrë në vlerën 44 milionë e gjysmë nga Qeveria e Kosovës dhe nga dividenda e KOSTT-it dhe KEK-ut dhe 75 milionë të tjera që janë zotuar nga Qeveria për KESCO dhe KEK-un, po ashtu dallimin në çmim që do ta paguajmë ne qytetarët, dhe borxhet që ia ka kompanive publike, sepse çdo para publike, çdo aset publik është pronë e secilit prej nesh, kalon shifrën mbi 200 milionë euro që i ka kushtuar Kosovës dhe paratë tona në mënyrë direke dhe indirekte të cilat kanë shkuar për t’i mbuluar humbjet e kompanive private që ka me obligim me kontratën që e ka nënshkruar në kohën e privatizimit për të na siguruar energji 24 orë në 7 ditë të javës”, thotë ai.

Vlen të përmendet se Partia Socialdemokrate të shtunën më 29 janar do të mbajë një protestë lidhur me paralajmërimet për rritjen e çmimit të energjisë elektrike./KP