Molliqaj ka marrë pjesë në seancën ku mungoi Sveçla, tregon se çfarë tha gjykatësi për ministrin

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka thënë se ka marrë pjesë në gjyqin ndaj tij dhe 13 aktivistëve tjerë, njëri prej tyre ministri i Brendshëm, Xhelal Svecla.

Molliqaj thotë se gjykatësi është dashur të dërgojë vendimin për thirrje me forcë të ministrit në seancë, i cili sot mungoi pasi u thirrur për herë të dytë.  Molliqaj thotë se Svecla po trajtohet ndryshe nga të tjerët.

“Është për një protestë në vitin 2014, ku jemi 13 persona të akuzum për huliganizëm. Është hera e dytë që Xhelali nuk merr pjesë aty përkundër se ftesat e i ka marrë në mënyrë të ligjshme.; është e vërtetë se Xhelait është dashur t’i sillet ftesa me detyrim. Këtë nuk e ka bërë gjyqtari. Por gjyqtari tha se për ata që nuk i kanë marrë ftesat t’u dërgohen përsëri. Por ai po ashtu la të kuptohet se do të ketë ndarje për të gjithë”, tha ai në emisionin Pressing në T7./

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje mbi seancën e shqyrtimit fillestar ndaj Xhelal Sveçlës dhe 12 të dyshuarve tjerë, shkruan Gazeta Express.

Sipas kësaj gjykate, seanca ka dështuar të mbahet për shkak të mungesës së shtatë të pandehurve.

Më tutje, Gjykata themelore në Prishtinë, ka njoftuar se ndaj Sveçlës nuk ka pasur urdhëresë për sjellje me detyrim dhe se i njëjti ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt.

“I pandehuri XH.S nuk ka pasur urdhëresë për sjellje me detyrim, i njëjti ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt dhe gjithashtu nuk është lëshuar asnjë urdhëresë për sjellje me detyrim ndaj tij për seancën e radhës”, thuhet në njoftim.