Molliqaj i quan autoritarë Kurtin dhe Vuçiqin: Marrëveshja për energjinë – avancim i autonomisë së veriut

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka deklaruar se Marrëveshja për energjinë mes Kosovë dhe Serbisë, që u arrit të martën në Bruksel, është avancim i autonomisë së Veriut.

Sipas tij, kjo është kristal e qartë, teksa shtoi se udhërrëfyesi për energjinë “na tregoi udhën që ky dialog po e ndjek”

“Koordinata kristal e qartë. Marrëveshja për energjinë është avancim i autonomisë së Veriut. Udhërrëfyesi për energjinë na tregoi udhën që ky dialog po e ndjekë. Koordinatat e një marrëveshjeje përfundimtare tashmë kanë dalur në sipërfaqe. Nuk la vend për hamendje e spekulime. As për interpretime. Ajo çka dihet është që asnjë marrëveshje që ka në qendër paqen mes popujve nuk lejon krijimin e entiteteve autonome në hapësirën shtetërore të një vendi tjetër”, shkroi ai në Facebook.

Molliqaj shprehet se Asociacioni i Komunave me Shumicë serbe e ka thelbin te kjo natyrë politike, teksa kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka quajtur autoritarë.

“Përjetësimi i konfliktit është ushqim për politikanët autoritar si Kurti e Vuçiq. Kemi thënë në krye të herës që Kurti është vazhdimësi e marrëveshjeve të pjesshme, të cilat vizatojnë hartën e Kosovës mbi baza etnike. Përmes kësaj marrëveshjeje Kurti po institucionalizon statusin e veçantë të komunave veriore të Kosovës. Ai po kujdeset që marrëveshjet që dikur mbetën vetëm tekste pa fuqi politike, të marrin jetë”, theksoi Molliqaj.

Ish-deputeti tha se përderisa procesi i kaluar negociator e kishte si qasje politike arritjen e marrëveshjeve përmes pjesëve të ndryshme.

“Procesi i tanishëm në krye me Kurtin ka si strategji këtë qasje: marrëveshjet për tema të veçanta si arritje më e lehtë dhe disi e padallueshme e perfide e marrëveshjes finale, pa u dalluar efektet aty për aty. Ky është popullizmi. Ky është rreziku. Pushtetit të ri iu dasht pak kohë për ta rrëzuar tërë ligjërimin e ndërtuar pikërisht ndaj kësaj qasjeje dhe kësaj përmbajtjeje që sot e firmosi. Nënshkrimi i Qeverisë së Kosovës nuk na përfaqëson”, përfundoi ai.