Deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka shprehur bindjen se në vend se Avdullah Hoti dhe partia të cilës i takon, LDK, të marrin përgjegjësinë që iu takon në mbrojtjen e vendit, tash kur, siç ka thënë, Kosova po rrezikohet nga negociatat pa platformë, ai paska zgjedhur të merret me PSD-në.

“Avdullah, për dallim prej juve, ne si PSD do të angazhohemi vazhdimisht që ta ndalim Thaçin t’i vazhdojë negociatat për vendin tonë krye në vete e pa platformë”, ka thënë Molliqaj.

“Ju vazhdimisht i jeni nënshtruar PDK-së. E keni zgjedhur Thaçin president e Veselin kryetar të Kuvendit. Andaj, të lus shumë si koleg që të kam, leje anash hipokrizinë”, ka shtuar më tej ai.
Sipas Molliqajt, në këto momente, Kosovës i duhet më pak hipokrizi e më shumë konstruktivitet.
“I duhet bashkim i të gjitha partive opozitare, në mënyrë që të jemi më të fuqishëm përballë Serbisë në këto negociata vendimtare për të ardhmen e vendit”, ka thënë Molliqaj.

Shefi i deputetëve të LDK-së, Avdullah Hoti, ka shkruar sot se vetëm zgjedhjet e reja sigurojnë legjitimitetin e atyre që e udhëheqin Kosovën dhe e përfaqësojnë në dialog.

“Kjo vlen edhe për PSD-në para se të bëhet pjesë e çfarëdo ekipi negocues. PSD-ja duhet përmes zgjedhjeve të reja të verifikojë 12 mandatet që ka në Kuvend, ngase janë mandate të fituara nga një parti tjetër. Vlerësoj se verifikimi i legjitimitetit është i domosdoshme për qëndrueshmërinë e demokracisë në Kosovë dhe të PSD-së gjithashtu”, ka thënë Hoti.