Arsenali ka njoftuar se sulmuesi armen, Henrikh Mkhitaryan ka pësuar një frakturë në këmbën e djathtë, lëndim ky që do ta mbajë 29 vjeçarin jashtë fushave për 6 javë.
Mkhitaryan ishte zëvendësuar në pjesën e dytë të ndeshjes derbi ndaj Tottenhamit mesjavën e kaluar në EFL Cup, takim të cilin “The Gunners” e humbën me rezultat 0-2.
Ish anëtari i Manchester Unitedit nuk ishte pjesë e skuadrës në fitoren 3-1 përballë Burnleyt të shtunën e kaluar, ndërsa pritet të rikthehet në fushë vetëm në muajin shkurt të vitit të ardhshëm.
Mkihtaryan do t’i humb ndeshjet direkte me Liverpoolin dhe Chelsean, ndërsa edhe ndeshja me Manchester Cityn me 3 shkurt duket vështirë e arritshme për armenin.
Trajneri i londinezëve, Unay Emery përballet me probleme të lëndimeve edhe në repartin defansiv, teksa Nacho Monreal nuk do të jetë i gatshëm për ballafaqimin e mesjavës kundër Brightonit për shkak të lëndimit në kofshë.
Megjithatë për teknikun spanjoll ka edhe lajme pozitive, derisa mbrojtësi shqiptar, Shkodran Mustafi pritet të rikthehet nga lëndimi për takimin me Brightonin.







