Mjeku që e operoi dhe doktor Salih Ahmeti e vizitojnë Thaçin në Hagë

Mjeku që ishte pjesë e ekipit që kishte operuar ish-presidentin Hashim Thaçin, Bashkim Gllareva, së bashku me familjarë të tij dhe me infektologun e njohur Salih Ahmeti, sot e kanë vizituar Thaçin në Hagë.

Gllareva, që është edhe ish-ushtar i UÇK-së, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka shkruar se ish-krerët e UÇK-së po qëndrojnë si zemërluanë dhe të pathyeshëm në këtë vend të huaj, duke sakrifikuar për UÇK-në, për lirinë dhe popullin tonë, për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës.

Ai ka thënë se UÇK-në po e mbrojnë dinjitetshëm edhe në Hagë.

Ky është postimi i plotë i Bashkim Gllarevës:

“Nuk u dorëzuan dhe nuk u ndalën. Rezistuan, punuan dhe e krijuan UÇK-në. E rritën, luftuan dhe u bënë çlirimtarë.

Për UÇK-në, për lirinë dhe popullin tonë, për të kaluarën, të tashmen e të ardhmen e Kosovës, ata ende po sakrifikojnë.

Zemërluanë dhe të pathyeshëm!

Kështu i njohim dhe kështu po vazhdojnë të qëndrojnë edhe në këtë vend të huaj, ku padrejtësisht po mbahen. Dinjitetshëm, UÇK-në tani po e mbrojnë edhe në Hagë!

Sa të ketë jetë mbi tokën e Kosovës, përjetë do u jemi mirënjohës.

Krenar me veprën, idealet dhe virtytet tuaja. Krenar me JU, çlirimtarë!

Shqiptarët, kudo që janë, krahëhapur po ju presin!”