Covid-19

Mjeku i njohur: Ndërgjegjësohuni, infrastruktura spitalore nuk është e pakufishme

Infektologu i njohur nga Tirana, Tritan Kalo, ka bërë apel të gjithë njerëzve që të kenë më shumë vlerësim për jetët e tyre dhe të kujdesen për veten në këto ditë të vështira për shëndetin e gjithsecilit.

Ai ka marrë shkas nga një grumbullim i njerëzve pranë zyrave të njësive administrative në Tiranë duke thënë se kjo shton rrezikun për sëmundje nga COVID-19.

“Ju lutem, më shumë respekt, më shumë dashuri e më shumë vlerësim për jetët tuaja. Me këtë mënyrë të papërgjegjshme sjelljeje, do t’i shtoni rrezikun vetes suaj që të sëmureni nga Sars-Cov2/Covid 19”, shkroi ai.

Ai ka shtuar se kapacitetet në burime njerëzore dhe në infrastrukturën e shtrimeve spitalore kanë një kufi, ato nuk janë të pakufishme kudo në botë, përfshirë edhe Shqipërinë.

“Ndërgjegjësohuni sa ende jemi larg kësaj sprove. Në të kundërt do të mbërrijmë në një dit ë, që askush nuk do mundet t’ju vijë në ndihmë. Së paku dëgjoni e shihni se çfarë po ndodh aktualisht në Itali, në Spanjë e gjetkë”, vijoi ai.

Ai tha se mjekët janë të gatshëm të ndihmojmë në çdo moment qytetarët, por ata nuk duhet t’i shtyjnë kufijtë e mundësive të ndihmesës në honet e pamundësisë.