Mjekiqi e LDK-së: Nuk do përdorim gaz lotsjellës, siç bëri LVV-ja

Sipas nënkryetares së LDK-së, Shqipe Mjekiqi-Sadiku, partia e saj si opozitë janë paksa të kufizuar se nuk kanë numër të madh të deputetëve, sidomos karshi koalicionit qeverisës.

Megjithatë, ajo u shpreh se LDK-ja do kërkojë rol aktiv në të gjitha proceset e rëndësishme për vendin.

“Ne s’do të përdorim rrugë të njëjta për të stopuar proceset si ato që i ka përdorur LVV në Kuvend. LDK nuk është e atij mendimi për përdorim të gazit, absolutisht jo”.

“Qëndrimi i LDK-së nuk do të jetë të kundërshtojmë sa për të kundërshtuar, por për të mbrojtur interesat e vendit dhe vlerat që jemi përcaktuar ideologjikisht”, tha ajo.

Edhe në lidhje me çështjen e Dialogut Kosovë-Serbi, Mjekiqi tha se partia e saj fillimisht e pret ftesën nga partia qeverisëse, por dhe që s’do të jetë përjashtuese e proceseve dhe do kërkojë rol aktiv në çështje të rëndësishme të Kosovës.

Ajo foli edhe për kundërshtimin që i bënë Ligjit për Zgjedhje, duke sqaruar se arsyeja ishte jo pse ishin kundër ligjit në fjalë, por për mënyrën se si erdhi, shumë shpejt dhe pa koordinim me partitë opozitare e akterë të tjerë politikë.

Sipas Mjekiqit, tashmë kanë filluar edhe me përgatitjet për zgjedhjet lokale, duke thënë se nuk beson që rezultati i zgjedhjeve nacionale do të përkthehet edhe në ato lokale.