Mjekët e Bullgarisë ndjehen të rraskapitur ndërsa vdekjet nga COVID-19 shënojnë rekord

Me numrin në rritje e të vdekurve nga COVID-19 në Bullgari që po çon në rekord, doktorët dhe infermierët në shërbimin shëndetësor tashmë të dobësuar nga dekada të emigrimit drejt perëndimit, thonë se janë të rraskapitur.

“Shikoni infermieren tonë këtu, ajo ishte pozitive, kishte temperaturë të lartë…tani ajo është kthyer prapë në punë”, ka thënë anesteziologu në njësinë e kujdesit intensiv në spitalit St. Anna në Sofje, Aleksandar Stanoevski.

“Stafi është totalisht i rraskapitur. Shumë prej tyre janë të lodhur, por ne duhet të vazhdojmë”, shton ai, derisa nis një tjetër ndërrim 12 orësh në spital, shkruan Reuters.

Rritja e të infektuarve ka mbushur spitalet në Bullgari këtë dimër, ku pacientët janë shtuar në pothuajse trefish në nëntor, me 6,869.

Bullgaria ka regjistruar afër 4,000 raste të reja në ditë këtë muaj.

Sistemi shëndetësor i shtetit ish-komunist, me staf të vogël, ka pasur 5,800 punonjës shëndetësorë të infektuar, 2,000 janë aktualisht.

Rreth 1,000 infermierë dhe profesionistë shëndetësorë të tjerë ikin nga vendi çdo vit në kërkim të një page dhe kushteve më të mira thotë Asociacioni bullgar i Profesionistëve të Sistemit Shëndetësor.

Rreth 60 për qind të doktorëve dhe infermierëve në Bullgari janë mbi 51 vjeç, gjë që i bën edhe më të ndjeshëm ndaj virusit.

Vullnetarët kërkohen në spitale në tërë vendin. Në fillim të muajit, disa politikanë me diplomë të mjekësisë kanë dalë vullnetarë në spitalin e qytetit Svishtov, pasi stafi mjekësor kishin rezultuar pozitiv.

Autoritetet dhe doktorët shpresojnë se vendimi për mbylljen e shkollave, qendrave tregtare dhe restoranteve për tri javë do ta lehtësojë gjendjen në spitale dhe për stafin.