Misioni Ndërkombëtar i Monitorimit të Zgjedhjeve: Zgjedhjet në Kosovë ishin të qeta

Misioni Ndërkombëtar i Monitorimit të Zgjedhjeve ENEMO, ka vlerësuar se zgjedhjet në Kosovë ishin të qeta pavarësisht tensioneve në veri të vendit dhe pandemisë COVID-19.

“Zgjedhjet lokale janë mbajtur në një mjedis të qetë, pavarësisht tensioneve në veri, pasigurisë dhe shtyrjes së mundshme për shkak të COVID-19, megjithatë vonesat e vazhdueshme në kryerjen e reformave zgjedhore kanë dërguar në pikën ku rregullat janë të paqarta dhe konfliktuale, gjë që ndikon edhe në sigurinë juridike”, ka thënë shefi  i këtij misioni, Pierre Peytier.

Megjithatë nga ky mision nuk është kryer një proces gjithëpërfshirës i vëzhgimit në Kosovë, por vetëm në disa qendra në Prishtinë, Graçanicë dhe Mitrovicë e Veriut.

Sipas Peytier misioni i tyre ishte monitorimi dhe vlerësimi i mjedisit elektoral, respektimi i të drejtave të njeriut dhe të drejtave të votuesit si dhe organit të menaxhimit të zgjedhjeve, fushata, barazia gjinore dhe  mjedisi i mediave, bazuar në standarde ndërkombëtare për mbajtjen e zgjedhjeve.

Elene Nizharadze, zëvendësshefe e misionit, ka thënë se një sërë rregullash kërkojnë rishikim dhe përmirësim në mënyrë që të shmangen paqartësi dhe të përmirësohet mjedisi elektoral.

Sipas saj gjatë viteve të fundit reforma zgjedhore ka dështuar disa herë.

“Gjatë viteve të fundit reforma zgjedhore ka dështuar disa herë duke penguar kështu miratimin e ndryshimeve përkatëse në legjislacion”, ka thënë Nizharadze.

Sipas saj qasja fizike në zgjedhje mbetet një problem për personat me aftësi të kufizuar.

Ndërkaq Boshko Nenozhiq, analist i administratës zgjedhore dhe vëzhgues i zgjedhjeve, ka thënë se Komisioni Qendror Zgjedhor ka arritur të kryejë procesin zgjedhor në mënyrë efektive.

“Puna e KQZ-së ishte kryesisht transparente dhe seancat e tyre ishin të hapura për vëzhguesit, megjithatë shumë procesverbale dhe një numër vendimesh të saj nuk u postuan në faqen e KQZ-së në mënyrën e duhur dhe asnjëra në gjuhën serbe”, është shprehur ai. /klankosova