Mishi, ushqimi kryesor i kosovarëve – ai i pulës, më i preferuari

Ushqimi kryesor me të cilin ushqehen qytetarët e Kosovës del të jetë mishi, ndërsa më i preferuari del të jetë konsumi i mishit të pulës.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ky produkt përbën 20 për qind të ushqimit të konsumit të përgjithshëm.

“Ushqimi në Kosovë dominohet nga mishi, qumështi, djathi, vezët, buka dhe drithërat, që kontribuojnë më shumë se gjysmën e konsumit të ushqimit (në vlerë). Më pas radhiten perimet dhe pijet joalkoolike”, thotë ASK në raportin “Rezultatet e Anketës së Buxhetit të Ekonomive Familjare”.

Edhe të dhënat e importit nga Dogana e Kosovës, tregojnë se brenda një viti mbi 40 milionë kilogramë mish të të gjitha llojeve hyjnë mesatarisht në Kosovë.

“Gjatë vitit 2018, importi i mishit ishte 45 milionë kilogramë të të gjitha llojeve në vlerë të përgjithshme prej 64 milionë euro. Ndërsa, nga fillimi i 2019 deri në muajin korrik, në Kosovë janë importuar rreth 31 milionë kilogramë në vlerë prej 44 milionë euro”, tha për Telegrafin, zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci.

Nga të dhënat, del se kosovarët e preferojnë më shumë konsumimin e mishit të pulës.

“Në vitin 2018 në Kosovë janë importuar 12.8 milionë kilogramë ‘kofshe prej pulës dhe prerjet prej tyre’, pasuar nga ‘Mish i pulës, prerje pa kocka’ me 9.6 milionë kilogramë dhe ‘Gjoksi prej pulës dhe prerjet prej tyre’, me 4 milionë kilogramë”, thuhet në të dhënat e Doganës.

Vendet prej të cilave importohet më së shumti mishi gjatë vitit 2018, janë Brazili, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe.

Vetëm nga Brazili, vendi ynë ka importuar mbi 18 milionë kilogramë mish.

“Mish i gjedhit të ngrirë përbën pjesën më të madhe të importit të mishit nga Brazili me 5.4 milionë kilogramë, ndjekur nga mishi i pulës me 4 milionë kilogramë dhe gjoks pule me 3 milionë kilogramë”, thuhet në të dhënat e Doganës, shkruan Telegrafi.

Nga Shtetet e Bashkuara, Kosova ka importuar 7.6 milionë kilogramë mish, ndërsa nga Britania e Madhe gjatë vitit 2018 janë sjell rreth 4.5 milionë kilogramë.

Për sa i përket eksportit, vendi ynë, sipas Doganës ka eksportuar mish vetëm në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut.

“Në vitin 2018 janë eksportuar vetëm 23 mijë kilogramë mish në vlerë prej 126 mijë euro, ndërsa gjatë 2019-së janë eksportuar 33 mijë kilogramë mish”, thuhet në të dhënat e Doganës.

Eksporti i mishit në këto dy vende është kryesisht mish i gjedhit.

loading…