Mirlind Daku rinovon me Osijekun

Sulmuesi i Kosovës, Mirlind Daku e ka vazhduar kontratën me skuadrën e Osijekut. Ekipi kroat, të hënën ka bërë të ditur se Daku edhe ka rinovuar kontratën edhe për dy vjet, dhe do të jetë pjesë e Osijekut deri në verën e vitit 2024.

“Sigurisht, jam i kënaqur që jam në planet afatgjata të klubit, gjë që konfirmohet nga kontrata e re. Mua më takon të stërvitem mirë dhe të pres shansin tim, duke shpresuar se mund ta shfrytëzoj atë. Konkurrenca është e mirë, por gjithashtu më inkurajon të bëj edhe më mirë. Më vjen mirë që jam përsëri në Osijek, i kam kaluar përgatitjet dhe jam gati të përmbush pritjet e trajnerit. Unë gjithmonë besoj në veten time dhe do të përpiqem të imponohem edhe më shumë”, ka thënë Daku.

Ndërkohë, trajneri i Osijekut, Nenad Bjelica ka insistuar se Daku është një lojtar, në të cilin ia vlen të investohet. Ai ka pranuar se deri më tani është i kënaqur me atë që ka treguar Daku. Megjithatë, Bjelica nuk ka përjashtuar mundësinë që Daku të huazohet sërish.

“Ai na intrigoi me tridhjetë golat e tij sezonin e kaluar në kampionatin e Kosovës, por edhe me punën e tij në stërvitje. Ai është një sulmues shumë interesant, ende shumë i ri, i cili e ka dëshmuar veten si golashënues në vendlindjen e tij. Pavarësisht nga forca e ligës, nuk është e lehtë të shënosh. Ne me siguri kemi parë potencial tek ai, dhe do të shohim se çfarë do të bëjmë me të tani. Ekziston mundësia e huazimit, ka klube të interesuara, kështu që ne do të vlerësojmë se çfarë është më e mira për të. Ai është sulmuesi i dytë i kombëtares së Kosovës dhe kjo duhet respektuar. Klubi ka një vlerë të madhe në të, duhet të investohet sepse tashmë ka çmimin e tij në treg, i cili do të jetë edhe më i lartë në të ardhmen”, tha Bjelica.

Daku në verën e vitit 2018 iu bashkua Osijekut nga Llapi përpara se të huazohet te Kukësi dhe Ballkani.