Miratohet Rregullorja për transformimin e aseteve të caktuara të ndërmarrjeve shoqërore me negocim direkt

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), ka njoftuar palët e interesuara (subjekt fizik dhe/ose juridik) se Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit ka miratuar Rregulloren për shitjen e aseteve të caktuara të ndërmarrjeve shoqërore me negocim direkt.

Rregullorja në rastin konkret përbën akt nënligjor të Agjencisë, e cila ka të bëjë me shqyrtimin e aseteve me natyrë specifike të cilat evidentohen në emër të ndërmarrjeve shoqërore, përderisa të njëjtat, në kuptim të Ligjit Për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, përfshihen nën juridiksionin e kësaj Agjencie.

Bordi i Drejtorëve mori një vendim të tillë, duke pasur parasysh faktin se ndaj ndërmarrjeve shoqërore dhe/ose aseteve të tyre, vazhdojnë të evidentohen një numër i konsiderueshëm i pretendimeve pronësore me natyrë potencialisht kontestuese, përderisa konstatimi i vlefshmërisë së këtyre pretendimeve kërkon një masë të konsiderueshme të kohës dhe punës profesionale.

Duke ju referuar nenit 15 të Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Bordi i Drejtorëve ka kompetencë që në harmoni me legjislacionin në fuqi, t’i shqyrtoj të gjitha ato kërkesa dhe/ose pretendime me natyrë specifike, të cilat kualifikohen si të tilla, kurse paraqesin pengesë në procesin e transformimit pronësor.

Agjencia inkurajon subjektet e ndryshëm (fizik dhe/ose juridik), se kanë të drejtë ta iniciojnë procesin e negocimit direkt me Agjencinë, nëse paraprakisht konstatohet se pretendimet e tyre kualifikohen si raste specifike (baza juridike e pretendimeve, natyra, komplekse e çështjes, origjina e pretendimeve e tjera, sipas Rregullores së cituar si më sipër) dhe ju referohen pasurive të ndonjë ndërmarrje shoqërore, e cila sipas legjislacionit në fuqi, bije nën administrimin e këtij Institucioni.

Në pajtim me legjislacionin në fuqi, inicimi i procedurës administrative për çështjet e shpjeguara si më sipër, bëhet sipas detyrës zyrtare të Agjencisë në emër dhe për llogari të ndërmarrjeve shoqërore dhe me kërkesën e palëve të interesuara, të cilat në Zyrat Rajonale dhe/ose në faqen zyrtare të Agjencisë mund të pajisen me Formularin e kërkesës për inicimin e procedurës, i cili përmban elementet qenësore të kërkesës dhe disa nga udhëzimet parimore.

Për mbështetje, këshilla dhe shpjegime eventuale qytetarët kanë të drejtë t’i drejtohen Zyrave Rajonale dhe/ose Zyrës Qendrore të Agjencisë, kurse kërkesa e kompletuar dorëzohet drejtë për drejtë në Zyrën Rajonale në territorin e së cilës gjendet patundshmëria.