Shqipëria

Miqësorja e parë e muajit mars, Shqipëria zyrtarizon kundërshtarin

Shqipëria luan në muajin mars miqësoren e parë në kuadër të përgatitjeve për Euro 2024. Kuqezinjtë kanë zgjedhur si kundërshtar Suedinë, një sfidë të cilën do ta zhvillojnë në Stockholm më datë 25 mars.

Stadiumi në të cilën do të luhet ndeshja quhet “Friends Arena” ndërsa mbetet për t’u përcaktuar orari. Federata Shqiptare e Futbollit është duke punuar për të zyrtarizuar edhe një miqësore tjetër për muajin mars.

Sa i përket miqësores me Suedinë, kjo do të jetë hera e gjashtë që dy përfaqësueset do të përballen në një ndeshje futbolli. Në të kaluarën Shqipëria dhe Suedia janë përballur vetëm një herë në një ndeshje miqësore që është fituar nga kuqezinjtë me rezultatin 2-1.

Ndërsa sfidat e tjera kanë qenë të vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Botëror, ku Suedia ka fituar tre takime dhe një ndeshje është ndarë në barazim pa gola 0-0.

Kujtojmë se në Evropian, Shqipëria është pjesë e Grupit B dhe do të përballet me Italinë, Kroacinë dhe Spanjën.