Ambasadori i Shqipërisë

Minxhozi: Shkëmbimet ekonomike Kosovë-Shqipëri këtë vit do të shkojnë mbi 200 milionë euro

Në një intervistë me Ballkani.info ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ka folur rreth situatës aktuale midis Kosovës dhe Shqipërisë, duke përmendur të arriturat dhe barrierat që po kalojnë këto dy vende.

Duke vlerësuar takimet tanimë ‘tradicionale’, të dy qeverive atë të Shqipërisë dhe Kosovës, Minxhozi, ka vërë në theks kryesor shkëmbimet tregtare, si njërin nga bashkëpunimet më suksesshme të këtyre dy vendeve.

E, sa i përket mandatit të tij si ambasador, ai ka qenë fjalë pak duke bërë me dije që prezenca e tij në Kosovë do të jetë edhe më tej, qoftë si ambasador apo edhe në ndonjë funksion tjetër.

Në vazhdim ju sjellim intervistën e plotë me ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi:

Ballkani.info: Si e vlerësoni situatën aktuale midis Kosovës dhe Shqipërisë?

Minxhozi: Ka zhvillime interesante në anën pozitive të këtij bashkëpunimi gjatë vitit 2018, janë nënshkruar një sërë marrëveshjesh në mbledhjen e kaluar në mes të dy qeverive në Korçë, të cilat po gjejnë zbatim çdo ditë e më tepër në jetën institucionale si të Shqipërisë, po ashtu edhe të Kosovës. Ajo që është shumë e rëndësishme për sa i përket fushës së tregëtisë dhe të shkëmbimeve ekonomike ka një rritje, mendohet që në fund të këtij viti ato të shkojnë mbi 200 milionë euro. Është një karakteristikë e veçantë e kësaj që sapo thashë, fakti që shkëmbimet e Kosovës krahasuar me vitin e kaluar ose eksportet e Kosovës drejt Shqipërisë krahasuar me vitin e kaluar janë rritur në masën 20%. Është një risi shumë pozitive, në anën tjetër do të thoja që ne po bëjmë ç’është e mundur për të hequr disa barriera që e pengojnë biznesin e të dy anëve për të zhvilluar aktivitetin e tyre, megjithatë këto janë në proces.

Ballkani.info: Në cilën sferë të bashkëpunimit janë treguar të suksesshme Shqipëria dhe Kosova?

Minxhozi: Problemi kryesor sot në bashkëpunimin dy-palësh janë problemet e ekonomisë prandaj unë mendoj që në këtë fushë ky bashkëpunim, ka qenë më i suksesshëm dhe së shpejti në fund të muajit nëntor në Kosovë do të mbahet mbledhja e radhës midis dy qeverive, ku theksi kryesor do të vihet si ka qenë më përpara, arritjet që kemi në shkëmbimet tregtare, midis Shqipërisë dhe Kosovës.

Ballkani.info: Na flisni për pikat e kalimit kufitar ndërmjet dy vendeve tona. A duhet të ekzistojnë këto pika?

Minxhozi: Ato pika do të ekzistojnë sepse kemi të bëjmë me dy shtete, po problemi që procedurat do të lehtësohen shumë më tepër në vitin që vjen.

Ballkani.info: Ende ka probleme në shkëmbimin e mallrave ndërmjet dy shteteve. Ku qëndron problemi?

Minxhozi: Natyrisht, janë burokracitë të administrates që, ne nga dita në ditë po mundohemi t’i redukotojmë.

Ballkani.info: Na flisni pak për kohën që e keni kaluar deri më tani në Kosovë?

Minxhozi: Unë kam katër vite e gjysëm që jam një Kosovë, dhe ndihem shumë mirë. Nuk ndihem si në shtëpinë time, por ndihem në shtëpinë time. Një ambient shumë dashamirës më rrethon kudo dhe përpiqem me të gjitha mënyrat që të justifikoj këtë nder që më është bërë, duke ardhur ambasador në një pjesë të rëndësishme të kombit.

Ballkani.info: Çka ju pelqën e çka jo në vendin tonë?

Minxhozi: Këtu, në Kosovë më pëlqejnë njerzit, janë shumë të afërt. Gjërat që më pëlqejnë janë arritjet që ka bërë Kosova, në këto dhjet vjet të pavarësimit. Kosova, sot është në një stad tjetër të zhvillimit të gjithanshëm dhe do e theksoja që pararoja e këtij zhvillimi, janë bizneset e Kosovës, që kanë provuar të jenë shumë të suksesshme, dhe mua më gëzon fakti që një numër i këtyre bizneseve ushtron aktivitetin e tyre në Shqipëri, me sukses. Prandaj, unë ndjehem mirë , jam i kënaqur dhe besoj që këto arritje që Kosova ka deri më sot do t’i thellojmë në vitet e ardhshme.

Ballkani.info: Deri kur e keni mandatin e ambassadorit të Shqipërisë, në vendin tonë?

Minxhozi: Akoma nuk ka lajm për këtë.

Ballkani.info: Me përfundimin e mandatit si ambasador, në rrugëtimin e juaj ku do t’ju shohim në të ardhmen?

Minxhozi: Në Kosovë më shikoni tani dhe në të ardhmen. /Ballkani.info/

Intervistoi: Mihane Hoxha