Minxhozi: Linjat ajrore Kosovë-Shqipëri dhe ‘autostrada’ energjetike, shumë shpejt në funksion

Shumë shpejt pritet të nisin fluturimet midis Kosovës dhe Shqipërisë, meqë është nënshkruar edhe hapja e trafikut ajror mes këtyre dy shteteve shqiptare.

Për arritjen e kësaj marrëveshje për hapjen e korridorit ajror ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe Shqipërisë, e mbështetur edhe nga NATO, është deklaruar edhe ambasadori I Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

Minxhozi, një vendim të tillë po e konsideron si një hap drejt perspektivës së re për të dyja shtetet.

Ambasadori Minxhozi një intervistë për KP, thekson se Shqipëria dhe Kosova duhet t’i shfrytëzojnë potencialet e tyre dhe kështu aeroporti i Kukësit dhe të tjerë do të jenë në shërbim edhe të Kosovës sikur që do të shfrytëzohet shpejt edhe “autostrada” energjetike interkonjeksioni 400 Kv.

“Është shumë pozitive, jo vetëm për nivelin e bashkëpunimit formal, por edhe konkret. Shqipëria tani është në një proces për hapjen e disa aeroporteve në Shqipëri, shumë shpejt pritet edhe aeroporti i Kukësit. Puna po vazhdon në aeroportin e Vlorës, natyrisht aeroporti i Tiranës është. Kështu që korridoret e Shqipërisë dhe Kosovës të jenë të hapura sidomos në periudhën e verës, në periudhën turistike”, thotë Minxhozi.

Ambasadori Minxhozi ka thënë po ashtu se një prej projekteve me rëndësi që pritet të jetë në funksion shpejt, është projekti energjetik për interkonjeksionin 400Kv, që ishte cilësuar projekt madhor, që hap një kapitull të ri drejt integrimit të dy vendeve.

“Vendime të rëndësishme midis nesh janë disa, një prej vendimeve është edhe çështja e interkonjekionit, që është diçka shumë e madhe dhe besoj që do të zbatohet shumë shpejt. Është një arritje shumë e madhe, por ne këto arritje duhet t’i kthejmë në një pozitivitet konkret që mos të ngelën në parulla, por në punë konkrete se si do të transformojmë për të rritur bashkëpunimin. Bashkëpunimi është me rëndësi, nuk ka rëndësi ku prodhohet në Shqipëri a në Kosovë, por e rëndësishme është që ne duhet të konsumojmë produktet e njëri-tjetrit. Ne duhet të shikojmë asetet e njëri tjetrit”, deklaron Minxhozi.

Linja e interkonjeksionit 400Kv që quhet ndryshe edhe “autostrada energjetike” që lidh dy shtetet, është projekt i hartuar dhe përfunduar vite më parë, për ndërtimin e së cilës u deshën dhjetëra milionë euro. Financimi është bërë nga banka gjermane KfË. Linja e interkonjeksionit 400 kV Shqipëri – Kosovë ka një gjatësi totale 241.1 km, nga të cilat 151.1 km shtrihen në territorin e Shqipërisë dhe 90 km shtrihen në territorin e Kosovës.