Ambasadori Qemal Minxhozi ka thënë se ajo që organizoi të martën në Prishtinë nuk ishte festë.

“Ne thamë ta përkujtojmë këtë datë, kemi hequr gjithë elementin festiv, absolutisht nuk u festua. Është intonu himni kombëtar i Shqipërisë dhe i Kosovës, kam mbajtur një fjalë rasti unë për rëndësinë e 28 nëntorit dhe menjëherë kam folur për tragjedinë”, ka thënë Minxhozi.

Ai ka thënë se në atë rast është mbajtur një minutë heshtje.

“Kam falënderuar popullin e Kosovës, e quajta si një moment në prani të 800 vetave që ishin atje, për ta bërë këtë falënderim që më takonte për ta bërë… ishte një mesazh, ishte një homazh”, ka thënë Minxhozi.

“Pjesëmarrja ishte e madhe, nuk ishte festë”, ka thënë ai.

Tutje, Minxhozi ka shkruar se ajo “nuk ishte ditë zie kombëtare dhe menduam për ta përdorur këtë festë si apel për solidarizim”.

Mixhozi thotë se çështja e taksës prej 5 eurosh do të diskutohet

Situata e re e krijuar pas tërmeteve në Shqipëri, e bën ambasadorin Qemal Minxhozi të deklarojë se çështja e taksës 5 euro në “Rrugën e Kombit” do të diskutohet.

“Tani kjo është çështje që duhet diskutuar pas kësaj gjendje por ma do mendja që kushdo në Shqipëri, kushdo në Shqipëri vlerëson në mënyrë të jashtëzakonshme… prandaj kombi u bashkua, ra ky mort e u pa”, ka thënë ai.

Ai beson se në këtë drejtim do të ketë zhvillime.

“Unë kam biseduar edhe me z. Kurtin, do të ketë zhvillime. Kemi shumë gjëra për të rregulluar mes nesh. Duhet të ketë më shumë shkëmbime, lehtësira nga të gjitha anët, në mënyrë që të eci përpara ekonomia e dy vendeve”, ka thënë ai.