Më datë 8 tetor të vitit 2025, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit kishte marrë vendim për anulimin e një tenderi me vlerë rreth 8 milionë euro në KIESA. KIESA është Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë dhe funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Në vendimin e APK-së, theksohej se është konstatuar konflikt interesi mes zyrtares së KIESA-s, Saxhide Sadiku dhe grupit të operatorëve ekonomik që kishin fituar tenderin në krye me Kema Company, kompani kjo e cila kishte qenë njëkohësisht punëdhënës i zyrtares Saxhide Sadiku dhe bashkëshortit të saj.
Pra, në kohën kur ishte nënshkruar kontrata mes KIESA-MINT dhe Kema Company, zyrtarja Saxhide Sadiku, sipas vendimit të APK-së ka qenë e angazhuar me punë bashkë me bashkëshortin e saj në kompaninë fituese të kontratës, Kema Company.
Për këto arsye, APK-ja kishte kërkuar nga Ministria e Tregtisë që të anulohet kontrata me vlerë rreth 8 milionë euro si dhe të iniciohet procedurë disiplinore ndaj zyrtares Saxhide Sadiku.
Por, deri më tash, Ministria e Tregtisë nuk ka përmbushur asnjë nga këto obligime. Kjo pasi që pas vendimit të APK-së, MINT kishte parashtruar kërkesë për caktimin e masës së përkohshme të sigurisë në Gjykatë si dhe kishte ushtruar padi për anulimin e këtij vendimi të APK-së.
Pas kësaj, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative më 17 nëntor të vitit 2025, kishte nxjerrë aktvendim përmes së cilit kishte refuzuar propozimin e Ministrisë së Tregtisë për caktimin e masës së përkohshme.
Për këtë aktvendim të shkallës së parë, Ministria e Tregtisë ishte ankuar në Gjykatën e Apelit, e cila sipas përgjigjes nga Gjykata, më datë 11 dhjetor të vitit 2025, ka marrë Aktvendim dhe ka refuzuar si të pabazuar ankesën e paditësit, ndërsa ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Rrjedhimisht, vendimi i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, mbetej ende në fuqi.
Por, ani pse edhe kërkesa e ministrisë së Tregtisë u refuzua në shkallën e parë por edhe nga Gjykata e Apelit, Ministria e Tregtisë si duket ka vendosur të zbatojë vet një “masë të përkohshme”, pa asnjë bazë ligjore.
Kështu të paktën thuhet në një përgjigje nga KIESA, në pyetjet që Gazeta Nacionale ka parashtruar për ushtruesin e detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të kësaj agjencie, Zef Dedajt.
“Dy vendimet, si ai i Gjykatës Themelore, ashtu edhe ai i Gjykatës së Apelit, kanë shqyrtuar dhe kanë marrë aktvendim vetëm për masën e sigurisë. Derisa të dy vendimet theksojnë se kjo vlen deri në marrjen e vendimit të plotfuqishëm gjyqësor sipas padisë së ushtruar në Gjykatë. Pra, sipas dy vendimeve pritet vendimi i plotfuqishëm Gjyqësor dhe se ndër të tjera në vendimin e Gjykatës Themelore ceket se: Ky aktvendim nuk e paragjykon epilogun përfundimtar… Prandaj, si përfundim, jemi në pritje të vendimit përfundimtar të plotfuqishëm Gjyqësor, kurdo që ai të merret, MINT/KIESA të njëjtin do ta respektojë. Mirëpo, deri atëherë gjendja mbetet e njëjtë dhe vlen të theksohet se KIESA nuk ka realizuar asnjë situacion pagese për punët e kryera pas pranimit të vendimit të APK-së. Aktualisht, edhe për shkak të sezonit dimëror, punimet janë të pezulluara.Megjithatë, pas përfundimit të sezonit dimëror dhe në rast se deri atëherë nuk pranojmë vendimin e plotfuqishëm Gjyqësor, do të kërkoj nga njësitë relevante brenda MINT-it që të na udhëzojnë për hapat e radhës, përfshirë edhe mundësinë e vazhdimit të pezullimit të punimeve deri në pranimin e vendimin përfundimtarë të plotfuqishëm Gjyqësor”, thuhet ndër të tjerash në përgjigjen nga MINT-KIESA.
Kjo lë të kuptohet se KIESA ose Ministria e Tregtisë nuk e ka ndërmend të anulojë tenderin sipas vendimit të APK-së, e as të marrë masa ndaj zyrtares Saxhide Sadiku, sepse të njëjtit po pretendojnë që po presin vendimin e plotfuqishëm të gjykatës për padinë që kanë ushtruar ndaj vendimit të APK-së, ndërsa po neglizhojnë dy vendimet e tjera të gjykatave ku u janë refuzuar kërkesat për caktimin e masës së përkohshme të sigurisë. Krejt kjo, po ndodh kundërligjshëm, pasi që MINT është e obliguar të respektojë vendimin e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, së paku sipas kësaj të fundit.
“Pas parashtrimit të kërkesës nga ana e MINT/KIESA në Gjykatën Themelore-Departamenti për Çështje Administrative për caktimin e masës së përkohshme të sigurisë dhe ushtrimin e padisë për anulimin e vendimit të APK-së, në këtë kontekst Agjencia ka dorëzuar përgjigjen e saj në Gjykatë, duke kundërshtuar padinë për anulimin e vendimit, si dhe propozimin për caktimin e masës së përkohshme të sigurisë, me kërkesë që të njëjtat të refuzohen si të pabazuara. Agjencia po ashtu është njoftuar zyrtarisht me Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë/Departamenti për Çështje Administrative, me të cilin është refuzuar si e pabazuar kërkesa e palës paditëse për caktimin e masës së përkohshme të sigurisë ndaj vendimit të APK-së. Njëkohësisht Agjencia është njoftuar edhe me Vendimin e Gjykatës së Apelit, me të cilin është refuzuar ankesa e paditësit dhe është vërtetuar aktvendimi i Gjykatës Themelore lidhur me këtë çështje. Në këto rrethana, sqarojmë se ushtrimi i padisë për anulimin e vendimit nuk e pezullon zbatimin e vendimit të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, përderisa kërkesa për masë të përkohshme të sigurisë është refuzuar nga të dyja instancat gjyqësore”, thuhet në përgjigjen nga APK për Gazetën Nacionale.
Si rrjedhojë, MINT/KIESA mbetet e obliguar ta zbatojë vendimin e Agjencisë, i cili vazhdon të jetë në fuqi dhe i detyrueshëm për zbatim.
Nga KIESA, agjencia që funksionon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë, kanë bërë të ditur se qëndrojnë mbrapa deklarimeve që u.d Drejtori i Përgjithshëm i KIESA-s, Zef Dedaj, ka bërë në RTK.
Ndërkaq, të njëjtit kanë reaguar edhe ndaj raportimeve të Gazetës Nacionale, lidhur me publikimin e disa faturave të cilat tregonin vlerat e pagesave të bëra ndaj Kema Company pas vendimit të APK-së.
“Në raportimet tuaja, keni ndërlidhur pagesën e situacionit të tretë me vendimin e pranuar nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK). Për informacionin tuaj, menaxherja e kontratës brenda KIESA-s, kishte pranuar draft-situacionin e tretë nga Operatori Ekonomik (OE) më 15 shtator 2025. Megjithatë, verifikimi në terren, siç janë matjet, përputhshmëria dhe të gjitha aspektet inxhinierike, kërkojnë kohë deri në sjelljen përfundimtare të raportit për të proceduar për pagesë. Sidoqoftë, të gjitha këto punë
kanë qenë të përfunduara deri më 15 shtator 2025 nga OE, ndërsa vendimi nga APK-ja, përmes arkivës, është pranuar nga Ushtruesi i Detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të MINT-it, z. Agim Xhuraj, më 13 tetor 2025, i cili pas pak ditësh e ka ndarë edhe me mua. Pra, kjo pagesë është realizuar për punët e përfunduara nga OE në terren para pranimit të vendimit nga APK-ja, rrjedhimisht, është e arsyeshme dhe e obligueshme që të paguhen punët e realizuara në terren para këtij vendimi. Ndërsa, sa i përket pagesës totale, ju njoftojmë se në përputhje me situacionet përkatëse, është realizuar pagesë në vlerë prej 1,501,208.90 euro, nga vlera totale e kontratës prej 7,755,554.00 euro, që korrespondon me 19.35% të zbatimit të kontratës sa i përket vlerës. Po ashtu, sipas planit dinamik të kontratës, i cili parasheh 360 ditë pune, deri para pranimit të vendimit nga APK, bazuar në ditarin e punimeve të evidentuar nga menaxherja e kontratës, OE ka shpenzuar 145 ditë pune, apo 40.27% të planit dinamik dhe në dispozicion mbesin edhe 215 ditë pune për përfundimin e plotë të kontratës”, thuhet në përgjigjen nga KIESA.
Për këtë rast, sipas burimeve të Gazetës Nacionale tashmë është njoftuar edhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, por që të njëjtit deri në publikimin e këtij artikulli nuk e kanë konfirmuar fillimin e hetimeve.







