MINT

MINT hap shërbimin digjital, bizneset nuk do të presin më në radhë për dokumente

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka njoftuar se ka hapur shërbimin digjital në MINT, duke eliminuar kështu pritjet e gjata në sportel.

MINT në një postim në Facebook shkruan se tani bizneset mund të pajisen me dokumente biznesore dhe të marrin çdo shërbim tjetër që ju nevojitet pa pritur në radhë.

Lexoni të plotë postimin:

Lajm i mirë për bizneset në Kosovë!

Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë ( ARBK), ka hapur shërbimin digjital në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë duke eliminuar kështu pritjet e gjata në sportel.

Tani, ju mund të pajiseni me dokumente biznesore dhe të merrni çdo shërbim tjetër që ju nevojitet pa pritur në radhë – një ndryshim i mrekullueshëm për efikasitetin e procesit! 

ARBK krahas digjitalizimit të këtij shërbimi, ditë më parë ka lansuar edhe dizajnin e ri praktik e bashkëkohor të ueb-faqes ku tash e tutje mund të merren lehtësisht informatat lidhur me bizneset, por edhe informata tjera lidhur me veprimtarinë e përditshme të kësaj agjencie.

Risi mjaft e rëndësishme e këtij ridizajnimi janë të dhënat statistikore që mund të gjenerohen me vetëm një klikim, për numrin e bizneseve sipas llojit dhe numrin e bizneseve sipas sektorëve.