Lufta në Ukrainë ka alarmuar qytetarët e Kosovës për mundësinë e një krizë ushqimore. Mielli dhe produktet esenciale ushqimore në Kosovë janë blerë me të madhe dy ditët e fundit si shkak i frikës se ato nuk do të gjinden më.
Lidhur me këtë, në mbledhjen e sotme të qeverisë, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, është shprehur se në takimin e saj me mullisët ka marrë konfirmimin se ka miell edhe për 3 deri në 6 muaj, shkruan lajmi.net.
Por, zyrtarët e rezervave shtetërore ditë më parë thanë se Kosova ka rezerva vetëm 5 ditë deri në 1 javë.
“Ka kapacitete të mjaftueshme për ta mbajtur jetën bie fjala për 5 ditë deri në 1 javë, mirëpo këto rezerva janë në rritje vazhdimisht.”, thanë zyrtarët e Divizionit të Rezervave Shtetërore.
Pjesë e rezervave shtetërore janë derivatet e naftës, ushqimet, drithërat dhe barnat esenciale.
Në anën tjetër, ministrja Hajdari sot është shprehur se Kosova ka vende mike që sigurojnë se do ta mbështesin Kosovën me furnizime shtesë nëse ka nevojë.
Se nuk ka nevojë për panik e tha edhe ministri i Financave, Hekuran Murati.
“Duhet t’i sigurojmë qytetarët që nuk ka nevojë për panik. I kemi parë sot radhët e gjata para fabrikave të miellit. Ma kujtuan marsin e vitit 2020. Nuk ka nevojë për panik. Jemi siguruar mjaftueshëm dhe kemi siguruar kanale për furnizim në rast se ka mungesë”, ka thënë Murati.
Në anën tjetër, Tahir Tahiri, kryetar i Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës, ka paralajmëruar se si rezultat i luftës në Ukrainë çmimi i bukës në Kosovë mund të rritet për 70 përqind.






