Ministrja e Drejtësisë

Ministrja Haxhiu, i dërgon letër për herë të dytë ministres serbe të drejtësisë, Maja Popoviq

Ministrja e Drejtësisë e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu ka kërkuar transferimin e qytetarëve kosovarë të burgosur në burgjet e Serbisë në Kosovë për t’u gjykuar në mënyrë të drejtë dhe të paanshme.

Haxhiu, në një postim në platformën X, ka identifikuar qytetarët Nezir Mehmetaj, Hasan Dakaj, Sadik Duraku dhe Tefik Mustafa si persona të mbajtur në burgjet serbe.

“Javën e kaluar kam kërkuar nga ministrja serbe e drejtësisë që të transferohen qytetarët tanë që mbahen në burgjet serbe. Nezir Mehmetaj, Hasan Dakaj, Sadik Duraku dhe Tefik Mustafa duhet të kthehen në Kosovë për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm nga autoritetet”, ka shkruar Haxhiu.

Në letër, Haxhiu është referuar edhe në marrëveshjen bazike për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, duke theksuar nevojën për respektimin e të drejtave të të burgosurve dhe përmbushjen e angazhimeve ndërkombëtare.

Haxhiu letër me përmbajtje pothuajse identike, pati dërguar edhe vitin e kaluar drejt ministers serbe.

“Z.Mehmetaj dhe z.Dula janë qytetarë të Kosovës pra edhe nën mbrojtjen e Republikës. Procesi i deritanishëm ndaj dy qytetarëve të Republikës së Kosovës është i përbërë nga shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, për vite të tëra.

Çdo akuzë ndaj tyre për krimet e pretenduara, duhet trajtuar nga organet e drejtësisë në Republikën e Kosovës.” – kishte shkruar ndër të tjera Haxhiu, një vit më parë.

Kush është Nezir Mehmetaj?

Nezir Mehmetaj, u arrestua më 3 janar të vitit 2020 në Merdar. Ai po vazhdon të qëndrojë në paraburgim në Serbi.

Mehmetaj kishte ardhur nga Zvicra për pushime në vendlindje, por gjërat nuk i kishin shkuar sipas planit. Nezir Mehmetaj në janarin e 2020-s u arrestua në pikën kufitare në Merdar nën dyshimet për krime lufte dhe, që prej asaj kohe, ai po qëndron në paraburgim në Serbi. Mehmetaj u ndalua nga autoritetet serbe derisa po kthehej në Kosovë së bashku me nënën e tij nga një spital në Nish.

Familjarët e Mehmetajt ishin ankuar se ky i fundit nuk gëzon shëndet të plotë. Sipas tyre, ish ushtari i UÇK-së, ka probleme me diabetin.

Rasti Mehmetaj, Konjufca letër Borrellit

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, sa ishte në rolin e ministrit të punëve të jashtme, i pati shkruar një letër shefit të diplomacisë evropiane, Joseph Borrell, nga i cili kishte kërkuar ta shtrijë ndikimin e tij tek autoritetet serbe, në mënyrë që Mehmetaj të transferohej në Kosovë.

Shkelje të të drejtave, e probleme shëndetësore, ishin kryefjala e letrës së Konjufcës drejt Borrell, kur po kërkohej lirimi i Mehmetajt.

“Që nga arrestimi zoti Mehmetaj është në mbajtje në Burgun Qendror në Beograd, ndërsa Prokuroria Serbe e Krimeve të Luftës në Beograd është duke zhvilluar procedurë penale ndaj tij”, thuhej në letrën e tij.

“Familja e zotit Mehmetaj ka deklaruar që Nezir Mehmetaj bashkë me familjen e tij të ngushtë ka jetuar në Zvicër rreth 30 vjet. Sipas avokatit, që e ka angazhuar familja e tij, i cili e ka përcjellë arrestimin e zotit Mehmetaj, Zyra e Prokurorit ka riintervistuar apeluesin, banor i Gjermanisë, dhe apeluesi nuk e akuzon zotin Mehmetaj si të përfshirë në këtë rast. Deklarata e apeluesit, që është në favor të zotit Mehmetaj, nuk i është paraqitur gjykatës kompetente në Beograd nga Prokuroria gjatë tre muajve të fundit. Meqë zoti Mehmetaj vuan nga diabeti, gjatë kohës në mbajtje, gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar dukshëm”, theksohej më tutje.

Familja Mehmetaj ka pasur vazhdimisht pakënaqësi lidhur me reagimin e institucioneve të Kosovës ndaj këtij rasti.

Nuk dihet nëse letrat e ministres Haxhiu do të kenë efekt, në lidhje me lirimin e tyre.