Ministrja Haradinaj-Stublla: Vuçiqi si këlysh i Rusisë po e kërcënon rajonin me luftë të re

Kryediplomatja kosovare, Meliza Haradinaj-Stublla, e ka quajtur Aleksander Vuçiqin si ‘këlysh të Rusisë’ i cili bashkë me Moskën zyrtare po tenton të minojë stabilitetin dhe paqen në rajon. Ky reagim i ministers kosovare ka ardhur pasi Vuçiq ka thënë se Serbia po përgatitet ushtarakisht pasi që një konflikt i ngrirë mund të eskaloj papritur, njëjtë siç ka ndodhur mes Armenisë dhe Azerbejxhanit.

Ajo ka thënë se ish-Ministri i Informacionit gjatë regjimit të “Kasapit të Ballkanit”, pasi furnizoi me armë palët në betejën Nagorno-Karabak, po tenton të nxisë luftëra të reja në Ballkan.

“Pasi furnizoi me armë konfliktin Nagorno-Karabak, me armë të prodhuara nga Serbia, Aleksandar Vuçiq, Ministri i Informacionit në kohën e Millosheviqit tani po kërcënon të gjithë NATO-n, si dhe po nxit vendet fqinje për përgatitje ushtarake për luftëra të reja në Ballkan”, ka deklaruar Haradinaj.

Ajo e ka qetur Vuçiqin si “këlysh të Rusisë”, meqë sipas saj, ai  shërben si dorë e zgjatur e propagandës ruse për minimin e sigurisë në Ballkan.

“Politika dhe qasja e “këlyshit Rusisë” është qartazi kundër vlerave të BE-së dhe politikave të sigurisë së Ballkanit. Të gjitha përpjekjet ruse dhe serbe për të minuar paqen, stabilitetin dhe sigurinë e rajonit janë të papranueshme për Kosovën dhe, me siguri, do të dështojnë, njësoj sikurse kapitullimi i tyre famëkeq në 1999’ën”, ka shkruar tutje udhëheqësja e dikasterit të Punëve të Jashtme, duke iu referuar fushatës së bombardimeve të NATO-s.

Përgjatë një fjalimi me të cilit iu drejtuar popullit serb sot, kryeministri Vuçiq deklaroi se në rast të mosarritjes së një marrëveshjeje, një konflikt i ngjashëm sikurse Nagorno-Karabak mund të ndodhte mes dy vendeve.

“Është e rëndësishme t’ju them se konflikti Nagorno-Karabak tregon se konfliktet e ngrira mund të përshkallëzohen në çdo moment”, deklaroi ai.