Ministrja Hajdari: Nuk jam t’u u marrë me Contourin tani

Pas njoftimit të kompanisë amerikane Contour Global për tërheqjen nga ndërtimi i termocentralit Kosova e Re, ka provuar të marrë një koment nga ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari, por e njëjta ka thënë se nuk po merret me këtë çështje tani për tani.

E pyetur se si e komenton tërheqjen e kompanisë amerikane nga ndërtimi i një projekti gjigand, ministra tha se ndodhet në takim dhe pasi të shkojë në zyrë do të shikojë rreth kësaj çështje.

“Nuk jam tu u marrë me Contourin tani për tani…Jam në takim, menjëherë si të kthehem në zyrë  e shikoj, tani e pash…”, tha shkurtë ministrja.

Ndryshe në njoftimin e dhënë për tërheqjen e tyre nga ky investim, kompania ka përmendur ndryshimet politike që kanë ndodhur në Kosovë. Konkretisht Qeverinë aktuale në krye me Albin Kurtin, që dikur kundërshtonin projektin në fjalë.

“Projekti Kosova e Re nuk mund të ecë përpara. Situata politike në Kosovë që nga korriku, formimi i një qeverie të udhëhequr nga një kryeministër që e kundërshtoi publikisht projektin dhe mosveprimi i qeverisë e kanë bërë të pamundur që projekti t’i përmbushë detyrimet e kërkuara”, thuhet në një njoftim për media nga Contour Global.

Tërheqjen e Contour Global deri më tani nuk e ka komentuar as kryeministri Albin Kurti.

Ditë më parë është raportuar se Departamenti i Shtetit në SHBA konsideronte se në rast të mosndërtimit të këtij termocentrali, Kosova mund të preket direkt ose indirekt nga politikat dhe furnizimi me energji .

Kemi siguruar një kërkesë të ministres së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari, e cila më 10 mars ka propozuar që në rend të ditës të mbledhjes së qeverisë të futet shfuqizimi i vendimit të Qeverisë Thaçi për rikonfigurimin e përbërjes së Komitetit Drejtues të Projektit të Asistencës Teknike “Energjia dhe Linjiti”, i cili është përgjegjës për projektin e termocentralit “Kosova e Re”. Gjithashtu është propozuar rithemelimi i këtij komiteti me përbërje të re.